Maqedoni
Ndërpritet seanca për rastin “Kumanova”, dëgjohet vetëm një nga katër dëshmitarët e mbrojtur
30.03.2016 16:23
Seanca gjyqësore për ngjarjet e 9 dhe 10 majit u mbajt me dëgjimin e vetëm njërit dëshmitar të mbrojtur, e jo katër, siç ishte e paraparë...

Sipas palës mbrojtëse, seanca është ndërprerë për arsye teknike, të cilat pamundësuan paraqitjen e tre dëshmitarëve të tjerë. Dëgjimi i tre dëshmitarët me identitet të mbrojtur do të vazhdojë më 7 prill.
“Sot ka vazhduar seanca kryesore për këtë proces gjyqësor. Pra, ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga ana e Prokurorisë, d.m.th. janë dëshmitarë të mbrojtur. Kurse roli ynë si mbrojtës të të akuzuarve ka qenë se edhe kemi parashtruar pyetje të kryqëzuara, me qëllim që të nxjerrim nga ata dhe të vërtetohet gjendja faktike për këtë proces gjyqësor. Nuk mund të komentojmë më gjerësisht shkaku se janë dëshmitarë të mbrojtur dhe duhet ruajtur identiteti i këtyre dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria”- deklaroi avokatja mbrojtëse, Artene Iseini.
Avokatja Iseini thotë se numri i dëshmitarëve të ftuar nga Prokuroria Themelore është i madh, ndërsa deri më tani kanë dëshmuar vetëm pesë prej tyre.
Pritet që edhe pala mbrojtëse t’i ftojë të njëjtit dëshmitarë të mbrojtur si dhe t’i dorëzojnë provat për të zbardhur gjendjen faktike të rastit në Kumanovë.(Sanije Duraku, TVM2)
