Ekonomi

OEMVP takon përfaqësuesit e BDI-së, kërkon transparencë dhe llogaridhënie

30.03.2016 17:04

Diskutimi i çështjeve ekonomike dhe çështjeve që tangojnë afaristët ishte qëllimi i debatit të organizuar nga ana e OEMVP-së dhe BDI-së...

Diskutimi i çështjeve ekonomike dhe çështjeve që tangojnë afaristët ishte qëllimi i debatit të organizuar nga ana e OEMVP-së dhe BDI-së, të cilët shpalosën propozim-platformën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
 
Afaristët dhanë idetë dhe sugjerimet e tyre se në cilat segmente duhen të përqendrohen partitë politike në hartimin e platformave ekonomike. Nga OEMVP u shprehën të pakënaqur në lidhje me programet e realizuara deri më tani, ndërsa kërkesa e tyre është rritja e BPV-së më shumë se 4%.
 
“Konkretisht kërkesat që dalin nga biznesmenët e përfaqësuar nga Oda drejt për të gjithë partitë politike, njëherit edhe për BDI-në, janë transparenca dhe llogaridhënie për çdo veprim që tangon komunitetin e biznesit e më gjerë, zvogëlimin e barabarësisë dhe zhvillimit rajonal, braktisje të mitit për fuqi punëtore, masa të reja për rritjen e punësimit, vendosje të platformës ekonomike për zhvillim të qëndrueshmërisë ekonomike, angazhim serioz për rritjen e BPV-së më shumë se 4% etj”- deklaroi nënkryetari i OEMVP-së, Mendi Qyrra.
 
Nga BDI thonë se pikërisht transparenca është një nga parimet e këtij subjekti politik. Sipas tyre, zhvillimi ekonomik, ulja e papunësisë, si dhe tërheqja e investimeve të huaja është një nga pikat kyçe të platformës së BDI-së. 
 
“Platforma jonë ekonomiko-financiare, si objektiv kryesor ka zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e klimës për biznes. Në kuadër të zhvillimit ekonomik, ne projektojmë rritje ekonomike prej 4-5% deri në vitin 2020, kjo e përcjellë me përmirësimin e konkurrencës me mbajtjen e një politike stabile makroekonomike, politike, stabile, fiskale ose ekonomike drejt biznesit, mbajtjen e tatimeve të ulëta, gjithashtu planifikojmë që në korniza të politikës fiskale të bëjmë zvogëlimin e ngarkesës fiskale”- tha zëvendësministri i Financave, Ardian Xheladini.
 
Nga Oda theksuan se pas prezantimit të platformave nga ana e partive politike ata do të dalin me një program të tyrin, i cili do t’u shpërndahet të gjitha subjekteve politike, ndërsa nga BDI thonë se janë të hapur që të shkëmbejnë ideja dhe sugjerime, dhe i quajtën takimet e këtilla me komunitetin e biznesit si fitimprurëse, për shkak se do të ndikojnë në pasurimin e programit zgjedhor të kësaj partie.
 
ERSAN PAJAZITI