Maqedoni
Gjuha e urrejtjes nga gazetarët, Prokuroria refuzon të hapë padi ndaj Nedellkovskit
30.03.2016 17:11
Prokuroria Publike ka refuzuar kërkesën e Shoqatës së gazetarëve dhe Sindikatës së pavarur të gazetarëve dhe punëtorëve mediatik...

Prokuroria Publike ka refuzuar kërkesën e Shoqatës së gazetarëve dhe Sindikatës së pavarur të gazetarëve dhe punëtorëve mediatik, për ndjekje penale ndaj gazetarit, Milenko Nedellkovskit, për përhapje të gjuhës së urrejtjes dhe kërcënim për sigurinë e qytetarëve.
“Për çudinë tonë të madhe, prokurorja Jasmina Kostevska Zdravevska ka refuzuar kërkesën si të pabazë. Ajo mendon se Nedellkovski vetëm ka shprehur pikëpamjet e tij, nuk nxit urrejtje, diskriminim dhe dhunë në bazë të prejardhjes kombëtare apo besimit fetar. Prokurorja vlerëson se i paraqitur me publikimet e tij nuk rrezikon sigurinë e gazetarëve. Nuk kemi dilemë se kërcënimet e Nedellkovskit janë porosi të cilat deri te kolegët tanë i ka përcjellë kryesia e partisë qeverisëse, VMRO-DPMNE-së. Ideja e tyre është që t’i frikësojnë dhe defokusojnë gazetarët që të mos shkaktojnë keqpërdorim masovik të institucioneve dhe shkeljen e të drejtave njerëzore”- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
ShGM dhe SPGPM këtë vendim do ta apelojnë te Prokuroria e Lartë Publike dhe shpresojnë se ajo objektivisht do ta vlerësojë situatën dhe do të hapë një rast kundër Nedellkovskit për përhapje të gjuhës së urrejtjes dhe kërcënim para disa muajve në profilin e tij në Facebook.
Nga ShGM përkujtojnë se gazetarët nuk përballen vetëm me kërcënime verbale, por ata janë cak i sulmeve fizike. Sipas ShGM-së, gjatë katër viteve të fundit janë regjistruar 25 raste të dhunës ndaj gazetarëve dhe asnjëri prej tyre nuk është pastruar deri më tani.
ShGM e fton ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovskin, që ta mbajë premtimin e dhënë dhe t’i zbardhë të gjitha këto raste të dhunës ndaj gazetarëve.
BESIM ABDULLAI
