KPP nuk do t’ia japë lëndët prokurores speciale, Janeva: unë veproj në kuadër të ligjit
Këshilli i Prokurorëve ka refuzuar t’i japë prokurores speciale, Katica Janevës, rastet ”Magjar Telekom” dhe ”Verushevski”...

Lëndët do të kthehen në procedim te prokuroritë themelore, të cilat ndjekin krimin e organizuar dhe korrupsionin, njoftoi kryetari i Këshilli të Prokurorëve, Petar Anevski.
“Me 7 vota ‘për’ është vendosur se për veprim të ligjshëm edhe më tej mbetet Prokuroria Themelore Publike, përkatësisht Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Prokuroria Themelore Publike. Do të thotë të gjitha lëndët që janë te ne, do të kthehen që për të njëjtat të vendosin këto prokurori.”- deklaroi kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski.
Pas një qëndrimi të shkurtër në Këshillin e Prokurorëve , Janeva ka deklaruar se ajo po vepron në kuadër të Ligjit për Prokurori Speciale. Duke u bazuar në autonominë dhe pavarësinë e kësaj prokurorie, nuk ka nevojë për sqarime para Këshillit, sqaroi Janeva.
“E njoftova Këshillin e Prokurorëve se kam vepruar në kuadër të Ligjit për Prokurori Speciale Publike dhe nuk kam obligim të paraqitem në seancat e Këshillit e as që të sqaroj se pse i kërkoj këto lëndë. Në lidhje me kompetencat, autonomia e veprimit tim është e qartë me Ligjin për Prokurori Speciale Publike.”- tha prokurorja speciale, Katica Janeva.
Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski, akuzoi prokuroren speciale për mosbashkëpunim. Sipas tij, prokurorët në Këshill janë të ofenduar nga sjellja e Janevës, e cila, siç tha ai, nuk ka dashur të përgjigjet në asnjë nga pyetjet e tyre. (Naim Ramadani, TVM2)
