Maqedoni
PPS hap rastin “Kështjella”, dy sisteme përgjimi janë asgjësuar si skrap
30.03.2016 17:18
Ish-ministrja e Brendshme në bashkëpunim me tre eprorë të DSK-së kanë asgjësuar dy sisteme për ndjekje të komunikimeve të kësaj drejtorie...

Dyshimet për tejkalim kompetencash dhe shkelje ligjore nga ana e ish-ministres së Brendshme dhe tre eprorë të DSK-së, i ka ngritur PPS, e cila prezantoi rastin më të ri me titull “Kështjella”.
Sipas prokurores, Lençe Ristovska, bëhet fjalë për rast shumë të komplikuar, ku janë marrë shumë veprime për ekzekutim dhe janë bërë më shumë vepra penale.
“Në këtë lëndë janë të dyshuar dy shefa nga Departamenti i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim pranë MPB-së, të cilët së bashku me ministrin e atëhershëm për Punë të Brendshme, në gjysmën e parë të vitit 2015, me shfrytëzimin e pozitës zyrtare dhe autorizimin si dhe me tejkalimin e autorizimeve zyrtare, me paramendim, të ndihmuar nga një i dyshuar tjetër, i cili gjithashtu ka qenë shef i Departamenti të Drejtorisë, i kanë asgjësuar mjetet për ndjekje të komunikimeve, e me ç’gjë i kanë dëmtuar pajisjet e shtetit dhe buxhetin e RM-së në vlerë prej 10 milionë euro ose 615 milionë denarë.”- deklaroi prokurorja në PPS, Lençe Ristovska.
PPS ka konstatuar se janë bërë disa shkelje ligjore, nisur nga formimi i Komisionit për regjistrim dhe të dala, asgjësim dhe fshirje nga evidenca dhe lista për ngarkim për shkak të vjetërsisë teknike dhe mosfunksionim të sistemeve. Pajisjet për përgjim janë asgjësuar në një firmë për hekurishte të vjetra.
“Më 28.03.2015 janë asgjësuar të dy sistemet për ndjekjen e komunikimeve. Kështu më 28.03.2015 e gjithë pajisja ngarkohet në mjete për ngarkim të MPB-së dhe dërgohet te personi juridik i aftësuar për asgjësimin e këtij lloji të pajisjeve. Bëhet fjalë për person juridik, i cili punon me mbetje, përkatësisht me hekurishte të vjetra.”- tha prokurorja në PPS, Lençe Ristovska.
Sipas PPS-së, bëhet fjalë për lëndë, e cila është e ndërlidhur me ndjekjen e paligjshme të komunikimeve dhe kompetenca e kësaj Prokurorie për procedim është e pakontestueshme.
Bazamentin për procedim të kësaj lënde PPS e gjen në vendimin e Gjykatës Themelore Shkup 1, të marrë më 25 shkurt 2015, ku është konstatuar se ndjekja e jashtëligjshme e komunikimeve është bërë me shfrytëzimin e pajisjeve për përgjim dhe regjistrim me zë të kapaciteteve teknike të mjeteve për ndjekje të komunikimeve pranë MPB-së.
SHPËTIM NUREDINI
