OKB diskuton për Sirinë, Ban Ki-moon: solidaritet global për krizën

30.03.2016 17:37

10 për qind nga 4.8 milionë refugjatë sirianë duhet të risistemohen dhe shpërndahen, çështje kjo e cila ishte në fokus të Konferencës ministrore të organizuar nga Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara, në Gjenevë....

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, dhe komsioneri i lartë për refugjatët, Filipo Grandi, tha se ishin mbledhur për të adresuar krizën më të madhe të refugjatëve dhe të të shpërngulurve në histori.

“Kërkoj që vendet të veprojnë me solidaritet në emër të vlerave të përbashkëta njerëzore, duke krijuar mundësi të reja për pranimin e refugjatëve sirianë. Këtu mund të përfshihen strehimet për shkaqe humanitare, bashkime familjare, ashtu si dhe mundësi punësimi apo studimi. Mënyra më e mirë për t’iu ofruar shpresë sirianëve është ndalja e konfliktit. Ne kemi ndalje të armiqësive, që në masë të madhe po respektohet për më tepër se një muaj, por palët duhet të konsolidohen dhe ta zgjerojnë atë në armëpushim dhe përfundimisht në zgjidhje politike nëpërmjet dialogut.”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon.

“Refugjatët që largohen prej luftës dhe dhunës, duke mbërritur në Evropë, mbajnë me vete një mesazh të rëndësishëm: adresimi i kësaj krize nuk mund të jetë vetëm një detyrë e vendeve apo komuniteteve pranë luftërave. Është një përgjegjësi globale, që duhet të ndahet mes të gjithëve, derisa paqja të mbizotërojë sërish”- tha komisioneri i lartë për refugjatët, Filipo Grandi.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin, më shumë se një milionë emigrantë kanë mbërritur në Evropë në 2015-ën, shumica e të cilëve në përpjekjen për t’i shpëtuar konflikteve në Siri, Irak e Afganistan.

Nga konflikti tashmë pesëvjeçar në Siri janë vrarë së paku 250 mijë persona, ndërsa afro 5 milionë refugjatë janë larguar dhe kryesisht janë vendosur në rajon.

Takimi në Gjenevë po bëhet pas konferencës së mbajtur në muajin shkurt në Londër, me ç’rast vendet nga e gjithë bota kanë shprehur përkushtim për ndihmë në vlerë prej 11 miliardë dollarësh amerikanë, për ta menaxhuar njërën nga krizat më të mëdha të zhvendosjes së njerëzve prej Luftës së Dytë Botërore. (Leunora Kaliqi, TVM2)