Sulmet në Bruksel, Prokuroria: Kishin në shënjestër kryeministrin Michel

30.03.2016 18:06

Terroristët, që hodhën veten në erë në aeroportin e Brukselit një javë më parë, kanë kërkuar në internet informacione për shtëpinë dhe zyrën e kryeministrit të Belgjikës, Charles Michel...

Lajmi tronditës është përcjellë nga mediat vendase, të cilat bëjnë me dije se autoritetet kanë mundur që të zbulojnë një lap-top të ekstremistëve, teksa në historikun e kërkimit të tyre është vënë re se ata po përpiqeshin që të merrnin sa më shumë të dhëna rreth rezidencës zyrtare të kryeministrit si dhe të shtëpisë së tij private.

Burime ende të pakonfirmuara raportojnë se në lap-top ishin gjetur gjithashtu detaje dhe fotografi të kreut të ekzekutivit në ambiente të ndryshme. Nuk dihet ende nëse kjo celulë ka përgatitur ndonjë sulm ndaj kryeministrit Michel. I gjithë vendi ka qenë nën masa të rrepta sigurie prej muajsh, ndaj nëse një lajm i tillë do të konfirmohet edhe në rrugë zyrtare, pritet që të ketë masa të shtuara sigurie për kryeministrin.

Në materialet e konfiskuara është gjetur edhe një mesazh i terroristit që hodhi veten në erë në aeroportin e Brukselit, Brahim El-Bakraouit, i cili ankohej tek persona të paidentifikuar për ndjekjet e shpeshta të bëra nga autoritetet ndaj tij.

Autoritetet kanë kërkuar ndihmën e aleatëve ndërkombëtarë për të analizuar të dhënat e gjetura, teksa bëhet me dije se një kopje e hard-diskut të lap-topit të terroristëve iu është dërguar edhe ekspertëve të FBI-së amerikane. (Rexhep Qamili, TVM2)