Lëvizja “Besa”: Kush garanton që vërtetë i shkatërruan pajisjet

30.03.2016 18:36

Lëvizja “Besa” përkrah punën e Prokurorisë Speciale, mirëpo njëkohësisht ngre shqetësimet e saj lidhur me dyshimet dhe provat që deri më tani i ka paraqitur kjo prokurori...

Nga “Besa” pyesin publikisht se si mund të shpallen të pavlefshme dhe të vjetruara mjetet e përgjimit me pretekstin se duhej të asgjësoheshin dhe kush jep garanci se të njëjtat nuk janë asgjësuar, por vazhdojnë të përdoren nga struktura të caktuara për të përgjuar të gjithë të tjerët.

“Si mund të urdhërohet asgjësimi i një aparature të sofistikuar të përgjimit në vlerë prej mbi 10 milionë euro? Ndonëse dyshohet se shkatërrimi i mjeteve është bërë me qëllim që të fshihen vepra paraprake. Kush mund të garantojë se këto pajisje janë asgjësuar me të vërtetë dhe se ato nuk kanë rënë në duart e ndonjë grupi apo subjekti të caktuar, që do t’i shfrytëzonte ato për t’i përgjuar qytetarët e Maqedonisë? Në këto rrethana, kur vihet në rrezik privatësia e çdo shtetasi të Republikës së Maqedonisë, kur shkelen të gjitha normat juridike të privatësisë së individit, Maqedonia rrezikon të shndërrohet në një vend, ku një grup i caktuar mund ta përgjojë një popull të tërë dhe çdo material ta shfrytëzojë për qëllime të ngushta në kundërshtim me çdo normë juridike.”- deklaroi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.