Maqedoni

Legalizimi i ndërtimeve pa leje, sot afati i fundit, nuk do të ketë afat shtesë

31.03.2016 10:10

Sot në mesnatë skadon afati për dorëzimin e kërkesave për legalizimin e ndërtimeve pa leje...

Komunat kanë zgjatur orarin e punës për t’u dalë në ndihmë qytetarëve deri në minutën e fundit.
 
Deri tani janë paraqitur 50 mijë kërkesa. Autoritetet apelojnë se nuk do të ketë më afat shtesë, prandaj qytetarët duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi të shtuar që ju është dhënë për të legalizuar ndërtimet e tyre pa leje.
 
Deri sot të gjithë pronarët që kanë ndërtuar shtëpi deri më 3 mars të vitit 2011, por që ende nuk e kanë legalizuar atë, mund të dorëzojnë kërkesë në komunat e tyre në mënyrë që të mund të fillojnë procesin e legalizimit. 
 
Deri në fund të vitit të ardhshëm, ndërkohë, është përcaktuar afat për elaborate gjeodezike.
 
Ende zgjat edhe mundësia për kategoritë e ndjeshme sociale, që të marrin elaborate falas.
 
Deri tani janë përpunuar 5.300 elaborate falas për qytetarët e kategorive sociale.
 
Prej fillimit të procesit të legalizimit, që filloi në vitin 2011, deri më tani status ligjor morën 147.000 objekte të ndërtuara pa leje.