Botë

Siri,” zbutet” Assad, pranon që opozita të jetë pjesë e qeverisë së re

31.03.2016 12:06

Presidenti i Sirisë, Bashar al Assad, ka lëshuar pe dhe pranon tashmë që forcat e opozitës mund të jenë pjesë e qeverisë së re...

Presidenti i Sirisë, Bashar al Assad, ka lëshuar pe dhe pranon tashmë që  forcat e opozitës mund të jenë pjesë e qeverisë së re, forma e së cilës mund të përcaktohet në bisedimet e paqes në Gjenevë.

Asad pret që qeveria e re të përbëhet nga forca të pavarura, forca të opozitës dhe forca besnike ndaj shtetit.

Në bisedën me Agjencinë ruse “Ria Novosti”, Asad tha se pavarësisht ndryshimeve të thella mes dy palëve, nuk është çudi që formati i një qeverie të re të dalë nga bisedimet.

“Në Gjenevë ka shumë pyetje që kërkojnë përgjigje, por nuk ka pyetje të vështira. Nuk i konsideroj të vështira, sepse që të gjitha mund të zgjidhen”, deklaroi Asad.

Ai nuk saktësoi se çfarë kishte në mendje kur tha se forca të opozitës, pasi qeveria siriane nuk i njeh grupet rebele dhe i quan ata terroristë, ndërsa prej kohës në Siri ka ekzistuar një opozitë e toleruar politike.

Asad tha se një kushtetutë e re mund të hartohet brenda pak javësh, ndërsa ajo duhet të votohet nga populli.

Pavarësisht se fjalët e tij janë konsideruar si shenja për kompromis, sërish ky duket i largët, pasi opozita siriane në bisedimet e Gjenevës ngul këmbë se Asad duhet të japë dorëheqjen, megjithëse qeveria thotë se fati i tij nuk është pjesë e diskutimeve.