Bashkëpunimi rajonal, ministrat e Jashtëm të rajonit në Durrës
Nisi mbrëmë punimet në Durrës takimi i ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor me praninë e eurokomisionerit, Johannes Hahn...

Ministerialit i kanë paraprirë edhe takimet dypalëshe të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë me ministra pjesëmarrës, mes tyre edhe me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Popovski.
Ministri Bushati i shprehu ministrit Poposki vëmendjen dhe rëndësinë e veçantë që Shqipëria i kushton zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve.
Dy ministrat u ndalën në proceset integruese të Ballkanit Perëndimor, si dhe rrugëtimin euroatlantik të Maqedonisë.
Në vijim, duke vlerësuar dhe mbështetur aspiratat demokratike dhe rrugën e zhvillimit e të integrimit euroatlantik të Maqedonisë, ministri Bushati shprehu mbështetjen për procesin e reformave të ndërmarra në Maqedoni, të dakordësuara me BE-në.
Ministri Poposki vlerësoi mbështetjen që Shqipëria ka treguar në drejtim të bashkëpunimit dypalësh dhe integrimit euroatlantik të Maqedonisë, duke theksuar angazhimin e vendit të tij për të vijuar intensifikimin e reformave që çojnë drejt këtij qëllimit.
Ministrat u ndalën në angazhimin e dy qeverive, në frymën e Konferencës së Berlinit, si dhe mundësitë për identifikimin dhe miratimin për projekte të reja të ndërlidhjes rajonale.
