Botë
Indi, shembet mbikalimi, të paktën 10 të vdekur, dhjetëra nën gërmalla
31.03.2016 13:04
Të paktën 10 persona humbën jetën kur një mbikalim u shemb në qytetin indian të Kolkatës...

150 të tjerë mbetën të ngujuar në trafik kur konstruksioni i urës u rrëzua përmbi rrugën poshtë saj.
Zjarrfikësit dhe banorët lokalë ndihmuan për të nxjerrë njerëzit që ngecën poshtë kontruskionit prej betoni e metali, në parkun Girish.
Numri i viktimave mund të rritet, pasi ende kërkohen njerëzit e mbetur mes gërmadhave.
“Kishte një zhurmë të fortë që na tmerroi. Që prej mbrëmë në vende të ndryshme të urës, betoni kishte filluar të çahej. Për atë po bisedonim kur unë zbrita poshtë ndërtesës për të marrë një lëng. Atëherë pashë urën të rrëzohet. Shumë njerëz kanë vdekur”- deklaroi dëshmitari okular, Ramesh Kejrival.
“Poshtë urës kishte shumë njerëz. Atje nuk kishte vetëm makina, por edhe karroca, edhe njerëz në këmbë. Të gjithë janë poshtë betonit”- tha dëshmitari okular, Mridul Kavesh.
Policia nuk e di se sa njerëz vërtetë kanë qenë poshtë urës në momentin e rrëzimit të saj.
Por ekipet e shpëtimit kishin vështirësi të arrijnë në kohë, për shkak të trafikut kaotik në të dy anët e rrugës.
Mbikalimi ishte duke u riparuar që nga viti 2009, por firma përgjegjëse kishte shtyrë disa herë afatin e përfundimit të tij.
Në Indi janë të shpeshta aksidentet në ndërtim për shkak të respektimit të paktë të standardeve të sigurisë.
BELINDA KOKA-ADEMI
