Botë
Haga liron Vojslav Sheshel nga akuzat për krime lufte
31.03.2016 13:09
Ultranacionalisti serb, Vojslav Sheshel, është liruar nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Ballkan gjatë luftërave të viteve ’90-ta...

Gjykata për Krime Lufte në Hagë thotë se ai nuk mbante asnjë përgjegjësi individuale për të gjitha akuzat. Vetë Sheshel më herët i ka mohuar të gjitha akuzat.
Në 2014, Gjykata e lejoi të shkonte në Beograd, pasi u diagnostikua me kancer. Vetë 61-vjeçari nuk ka qenë i pranishëm në Gjykatë dhe ka refuzuar kërkesën e tribunalit për të ndjekur gjyqin me videolink.
Vojslav Sheshel ka marrë pjesë në protestat antiqeveritare në zgjedhjet parlamentare serbe.
Sheshel ka qenë krahu i djathtë i ish presidentit serb, Slobodan Miloseviç, dhe ka qenë zëvendëskryeministër nga 1998 deri në 2000.
Ai u dorëzua vullnetarisht në Gjykatën e Hagës në 2003, dhe kur gjykata i caktoi një mbrojtës kundër dëshirës së tij, ai bëri grevë urie.
Javën e kaluar ish lideri serbo-boshnjak, Radovan Karaxhiç, u dënua me 40 vjet burg për gjenocid dhe krime lufte në Bosnjë.
