Maqedoni
Vrapçisht, rrjete kanalizimi edhe në gjashtë fshatra
31.03.2016 15:20
Ministria e Ekologjisë do ta financojë projektin për përpilim të dokumentacionit teknik me revizion për projekte në komunën e Vrapçishtit...

Ministria e Ekologjisë do ta financojë projektin për përpilim të dokumentacionit teknik me revizion për projekte në komunën e Vrapçishtit për sistemin e kanalizimit në gjashtë fshatra të cilat nuk e kanë zgjidhur këtë çështje.
Ministria dhe Komuna nënshkruan sot për këtë qëllim edhe marrëveshjen e bashkëpunimit. Për realizimin e projektit, Ministria do të financojë 3 milionë denarë.
Rrjeti i kanalizimeve në total përfshin gjatësi prej 50 kilometrave. Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Bajram Kadrija, shpreson se projekti do përfundojë në afat të shkurtër kohor, për të filluar pastaj me projekte tjera në komunën që ai drejton.
“Krahas tri fshatrave, për të cilat tanimë është siguruar sistemi i kanalizimit, me këtë marrëveshje do të fillojë procedura për zgjidhjen e këtij problemi infrastrukturor, i cili tanimë një kohë të gjatë është aktual edhe për gjashtë fshatra më të mëdha të komunës, siç janë: Vrapçishti, Dobërdolli, Senakosi, Toplica, Negotina e Pollogut dhe Gradeci”- deklaroi kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Bajram Kadrija.
Ministri Izairi theksoi se stacioni i filtrimit në Vrapçisht dhe rregullimi i ujësjellësit në fshatrat tjera do kushtojë 14 milion denarë, para këto të siguruara tashmë nga Ministria e Ekologjisë dhe Komuna e Vrapçishtit.
“Për ne është shumë me rëndësi të zgjidhen çështjet e hapura dhe të plotësohen nevojat e qytetarëve, sidomos në pjesën e sigurimit të infrastrukturës themelore. Ky është parakusht për përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe për ruajtjen e mjedisit jetësor, si në këtë rajon, po ashtu edhe në territorin e tërë shtetit. Me dokumentacionin e hartuar teknik, komuna në të ardhmen do të mund të aplikojë dhe të kërkojë mbështetje financiare për realizimin e tyre”- tha ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi.
Pas përfundimit të fazës së parë, pritet të fillohet me punët në terren, për rregullimin e kanalizimit, për të cilin Ministria e Ekologjisë paralajmëroi se do ta bashkëfinancojë edhe fazën e dytë të projektit.
LULZIM HAZIRI
