Maqedoni
Johanes Han: kohë e mjaftueshme për zgjedhjet më 5 qershor
31.03.2016 16:10
Zgjedhjet në vend duhet të mbahen më 5 qershor...

Ka kohë të mjaftueshme për të kryer punët që kërkohen nga organet relevante për të krijuar kushtet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve.
Kështu ka deklaruar eurokomesari, Johanes Han, pas takimit të tij bilateral me ministrin e Jashtëm, Nikolla Popovski, në Durrës.
Sipas tij, nuk ka elemente që mund t’a pengojnë mbajtjen e zgjedhjeve në datën e caktuar dhe është i bindur se punët po shkojnë në drejtimin e duhur.
“Padyshim se duhet të mbahen zgjedhjet. Organet qeveritare, veçanërisht KShZ, bëjnë gjithçka çka është në fuqinë e tyre për përgatitjen e listës zgjedhore, e cila nuk është kontestuese nga asnjë palë. Unë nuk kam indikacione se kjo është e pamundur. Kjo ishte arsyeja përse bashkësia ndërkombëtare bëri presion të shtyhen zgjedhjet, por tani duhet të ketë kohë të mjaftueshme të bëhet gjithçka që është e nevojshme. Kemi marrëveshjen e famshme të qershorit dhe korrikut, ndërsa pika finale e marrëveshjes ishin zgjedhjet fer dhe të njohura ndërkombëtarisht, e që do të jenë bazë për zhvillimin e ardhshëm të vendit, veçanërisht kur bëhet fjalë për rrugën euroatlantike”- deklaroi eurokomisari për zgjerim, Johanes Han.
Han gjithashtu ftoi të gjitha partitë politike që të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe në mënyrë paqësore të zhvillojnë fushatën zgjedhore.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
