Maqedoni

Rasti “Fortesa”, 30 ditë paraburgim për Goran Gruevskin

31.03.2016 16:30

Propozimi i PS-së që të dyshuarit të parë në rastin “Fortesa”, Goran Gruevskit, shef i sektorit në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim pranë MPB-së...

Propozimi i PS-së që të dyshuarit të parë në rastin “Fortesa”, Goran Gruevskit, shef i sektorit në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim pranë MPB-së t’i caktohet masa 30 ditë paraburgim është pranuar nga Gjykata Themelore. 
 
"Gjykatësi në procedurën paraprake pranë Gjykatës Themelore Shkup 1 - Shkup, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë për Ndjekje të Veprave Penale të Lidhura dhe të cilat dalin nga ndjekja e paligjshme e komunikimeve për përcaktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin Goran Gruevski, parashtruar nga Gjykata gjatë ditës së djeshme, pas marrjes së sotme në pyetje të të dyshuarit, i cili vetë u paraqit në gjykatë, dhe në prani të mbrojtësit dhe prokurorit nga Prokuroria e theksuar, mori vendim, me të cilin e pranoi propozimin e Prokurorisë për përcaktimin e masës 30 ditë paraburgim."- thuhet në kumtesën e Gjykatës Themelore. 
 
Avokati i Goran Gruevskit, i cili është i dyshuari kryesor në rastin "Fortesa", ka dorëzuar ankesë kundër vendimit të Gjykatës Penale, ku i kanë caktuar 30 ditë paraburgim.
 
Kërkesa është dorëzuar herët në mëngjes dhe Gjykata menjëherë, me dokumentacionin e plotë të rastit, ka ridërguar atë deri te PS.
 
Sipas procedurës, pasi që të deklarohet në PS, Këshilli Penal në Gjykatën Penale ka afat prej 48 orëve për të vendosur nëse Gruevski do të mbetet ose jo në paraburgim.
 
Përveç kësaj, pritet që PS të dërgojë kërkesë deri te Gjykata për të kërkuar që të dyshuarve t’u ndalohet qasja në vendet e punës, t’u  kufizohet lëvizja, ndërsa ish ministres Jankullovska t’i merret edhe pasaporta.
 
Pesë të dyshuarit në rastin “Fortesa” akuzohen se kanë shkatërruar dhe asgjësuar mjetet dhe dy sistemet me të cilët është kryer përgjimi nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, që, sipas PSP-së, shtetit dhe buxhetit i kanë shkaktuar dëm prej rreth 10 milionë eurosh.  
 
SANIJE DURAKU