Përshkallëzohet situata me refugjatët në Greqi, përleshje mes refugjatëve dhe policisë në Idomeni

31.03.2016 17:08

Qindra refugjatë u përleshën me policinë greke në Idomeni pasi ata nuk i lejuan të kalojnë ilegalisht kufirin për në Maqedoni...

Zona ndërkufitare Maqedoni-Greqi në mëngjes u shndërrua në zonë lufte dhe nuk përngjante më aspak si një kamp i refugjatëve. Forcat speciale greke përdorën gaz lotsjellës dhe dhunë ndaj refugjatëve të revoltuar për ta larguar turmën e madhe të refugjatëve që veç më ishin të drejtuar drejt tyre. Situata vazhdon të jetë e tensionuar edhe sot. Revolti dhe dëshpërimi i refugjatëve nuk ka të ndalur. Ata nuk i braktisin tendat në Idomeni dhe ende shpresojnë se do të hapet rruga ballkanike.

“E vetmja gjë që po e mendoj dhe tani është shpresa dhe mbështetja tek Zoti, ai nuk do të më lërë gjatë në këtë situatë. Shpresoj se do të hapen kufijtë.”- tha një refugjat.                                                          

“Për momentin jemi mirë këtu dhe e njëjta gjë do të ishte po të kishim shkuar në tenda tjera në Ballkan. Pavarësisht kësaj, unë do të qëndroj këtu bashkë me shokët e mi.”- u shpreh një refugjat.

Vlon situata edhe në Portin e Pireut. Shtatë persona të tjerë u plagosën në Greqi në përleshjet e fundit midis refugjatëve sirianë dhe afganë. Deri në këtë përleshje masive ka ardhur pasi që një grup i migrantëve afganë mbrëmë ngacmuan një femër siriane teksa ajo kaloi në afërsinë e tyre, në Portin e Pireut. Të revoltuar nga kjo gjë, disa minuta më vonë dy grupet u përleshën me grushte dhe gjësende të forta që kishin aty pranë tyre. Forcat speciale greke arritën t’i ndajnë këto grupe dhe të parandalojnë lëndime të reja në këtë incident.

Ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski, gjatë vizitës së sotme të kufijve, prej fshatit Moin deri në Nikoliq, tha se situata me krizën e refugjatëve në vend është nën kontroll.

“Armata e Republikës së Maqedonisë është e gatshme dhe e njëjta vepron sipas planit të paraparë. U sigurova se kufijtë e vendit janë të mbrojtur dhe të siguruar mirë. Ne do të vazhdojmë ta përcjellim situatën në terren gjatë tërë kohës”- deklaroi ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski.

Përfaqësuesit e lartë të agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe të Japonisë vizituan kampet e pranimit në Tabanoc dhe Gjevgjeli, ku për momentin ndodhen qindra refugjatë të bllokuar për shkak të mbylljes së rrugës ballkanike. Prej fillimit të krizës e deri tani, Japonia  përmes agjencisë së KB-së ka siguruar 3.6 milionë dollarë për Maqedoninë.                                                                                          

Në qendrat e përkohshme në Portin e Pireut për momentin ndodhen rreth 6 mijë refugjatë, ndërsa në Idomeni janë rreth 12 mijë refugjatë të tjerë të bllokuar. Të gjithë me shpresën se do mbërrijnë në vendet e BE-së. (Rexhep Qamili, TVM2)