Legalizimi i objekteve pa leje, afati skadon sonte në mesnatë

31.03.2016 17:15

Sot është dita e fundit ku qytetarët mund të paraqesin kërkesat për legalizimin e objekteve pa leje...

Nga Komuna Çair informojnë se në ditën e fundit fluksi i qytetarëve të cilët i paraqesin këto kërkesa është më i madh, ndërsa apeluan deri tek ata qytetarë të cilët nuk mundën t’i paraqesin kërkesat gjatë ditës, t’i bëjnë ato deri në mesnatë, pasi që zyrat e komunës do të jenë të hapura deri në orën 24:00. Gjithashtu  udhëheqësi i departamentit juridik në komunën e Çairit, Rami Qerimi, apelon që ata të cilët kanë paraqitur kërkesat më herët, në vitin 2011 t’i dorëzojnë elaboratet deri në fund të këtij viti.

“Ne sot do të punojmë edhe me orar plotësues, domethënë deri në orën 24:00. Kemi grupin e punëtorëve të cilët do të jenë prezent këtu dhe do t’i pranojnë kërkesat deri në atë kohë. Apeloj tek të gjithë ata të cilët i kanë bërë kërkesat më herët, në vitin 2011, që brenda këtij viti, domethënë deri në fund të këtij viti, t’i dorëzojnë elaboratet, sepse edhe ky është afat i përcaktuar me ligj, që elaboratet duhet të dorëzohen deri në fund të vitit për ata që i kanë paraqitur kërkesat në vitin 2011”- deklaroi udhëheqësi i departamentit juridik në komunën e Çairit, Rami Qerimi.

Qerimi informon se janë paraqitur mbi 2000 kërkesa për legalizim të objekteve, ndërsa gjithashtu informon se ata të cilët kanë paraqitur  kërkesat tani, elaboratet duhet t’i dorëzojnë deri në fund të vitit 2017. (Ersan Pajaziti, TVM2)