Drejtoria për Mbrojtje të të Dhënave Personale: KShZ të mos publikojë të dhëna nga terreni
Drejtoria për Mbrojtje të të Dhënave Personale ka marrë vendim që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në ueb faqen e saj zyrtare të mos publikojë të dhëna nga përmbajtja e procesverbaleve gjatë kontrollit në terren...

Këtë vendim Drejtoria për Mbrojtje të të Dhënave Personale e solli tre ditë pas vendimit të KShZ-së, që t’i bëjë publike të dhënat e kontestuara për më tepër se 89 mijë votues.
Drejtoria në fjalë ka realizuar mbikëqyrje të jashtëzakonshme dhe ka konstatuar se nuk është e drejtë dhe në pajtim me Kodin Zgjedhor, si dhe me Ligjin për mbrojtje të të dhënave personale, qasje tek të dhënat personale të kenë një numër i pacaktuar i personave. Për këtë arsye kjo drejtori kërkon që lista me të dhëna të terrenit menjëherë të hiqet nga ueb faqja.
Drejtoria për Mbrojtje të të dhënave personale gjithashtu KShZ-së ia ndalon edhe opsionin të cilin kjo e fundit ua mundësoi qytetarëve që përmes numrit amë të bëjnë kontroll edhe për persona të tjerë. Kjo do të thotë ndalim i publikimit të të dhënave për të gjithë votuesit nëpër komuna, si dhe të kontrollit në bazë të adresës apo emrit dhe mbiemrit.
Partia e LSDM-së është kundër këtij vendimi të drejtorisë, duke thënë se me këtë nuk respektohet Kodi zgjedhor dhe gjithashtu Marrëveshja e Përzhinës.
Nga LSDM kërkojnë që KShZ të mos e pranojë këtë vendim. Anëtarët e KShZ-së, në mbledhjen që do ta mbajnë gjatë orëve të pas ditës, do të bëjnë shqyrtimin e kërkesave, me ç’rast do të vendosin se si do të veprojnë. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
