OSBE–ODIHR nis vëzhgimin
OSBE-ODIHR nis misionin e vëzhgimit për zgjedhjet e pesë qershorit. Do të angazhohen 12 ekspertë, 24 vëzhgues afatgjatë dhe 300 afatshkurtër...

Vëzhguesit e parë do të shpërndahen në të gjithë territorin nga 13 prilli, ndërkaq vëzhguesit afatshkurtër do të vijnë në Maqedoni disa ditë para zgjedhjeve. Atëherë do të dihet edhe numri final i vëzhguesve bashkë me vëzhguesit e Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Shefi i misionit të OSBE-ODIHR-it, Jan Petersen, nuk zbulon se a kanë marrë garanci nga KShZ-në se a janë të gatshëm për realizimin e zgjedhjeve më pesë qershor, por thotë se plani i veprimit bazohet në datën pesë qershor.
“Zgjedhjet janë caktuar më pesë qershor. Plani i veprimit bazohet në këtë datë. Nëse diçka tjetër ndodh, ne do ta kemi parasysh, por ne jemi këtu me ftesë të autoriteteve.”- deklaroi shefi i misionit të OSBE-së, Jan Petersen.
Petersen thotë se nuk do të ndërhyjnë në procesin zgjedhor, por vetëm se do të raportojnë për periudhën paraelektorale si dhe për ditën e votimit. Do të dalin me dy raporte, njëri një ditë pas zgjedhjeve, ndërkaq raporti përfundimtar do të publikohet tetë javë pas përfundimit të procesit zgjedhor. Në raporte nuk do të mungojë edhe lista zgjedhore.
“Roli ynë është të monitorojmë procesin zgjedhor dhe të informojmë, por jo edhe të ndërhyjmë. Ne nuk jemi të interesuar për epilogun e zgjedhjeve, por procesi të jetë transparent.”- theksoi shefi i misionit të OSBE-së, Jan Petersen.
Misioni do të vëzhgojë edhe raportimin e mediave. Nuk do të mungojnë as bashkëpunimi me autoritetet shtetërore, partitë politike dhe kandidatët e tyre, si dhe me përfaqësues të sektorit civil, medias dhe komunitetit ndërkombëtar. (Meral Ismaili, TVM2)
