Ligji për procedurë penale, BDI: Nuk do e votojmë nëse opozita është kundër; LSDM: VMRO kërkon të shpëtojë veten; BE: Ndryshimet legjislative kërkojnë përgatitje

31.03.2016 17:52

Kanë vazhduar reagimet rreth ndryshimeve të Ligjit për procedurë penale, me të cilin parashikohet zgjatja e afatit që pala e akuzuar e ka për përgatitjen e lëndës të iniciuara nga deputetët, Svetlana Jakimovska e VMRO-së dhe Musa Ibrahimi i BDI-së....

LSDM-ja opozitare kundërshton ashpër këto ndryshime ligjore, ndërkohë nënkryetari i Kuvendit, Rafis Aliti, deklaroi se, pa një konsensus politik midis partive politike më të mëdha, BDI nuk do të votojë për ndryshimet e Ligjit.

“Ne si grup parlamentar, duke pasur parasysh ambientin që është krijuar në kuvend, ku realisht opozita ka dalë kundër këtij intervenimi dhe ne si grup parlamentar nuk do të votojmë pro intervenimit në këtë ligj.” - deklaroi Rafis Aliti nga BDI.

“Ne jemi kundër këtij ligji sistemor dhe të rëndësishëm, edhe në procedurë të shpejtë, por edhe pa diskutime të hapura, pasi mendojmë se me këtë po kërkohet shpëtim i VMRO-DPMNE-së dhe klikës së ngushtë të saj”- tha Goran Sugarevski nga LSDM.

Ka reaguar edhe Komisioni Evropian. Zëdhënësja Kociançiç thotë se KE gjithnjë ka pasur vërejtje rreth mënyrës së ndryshimeve të befasishme të ligjeve në Maqedoni.

Komisioni gjatë gjithë vitit të kaluar disa herë ka shprehur shqetësime për ndryshimet e papritura të ligjeve dhe vazhdimisht ka theksuar rëndësinë e përgatitjeve përkatëse të ndryshimeve legjislative të propozuara, përfshirë edhe një vlerësim të përshtatshëm të ndikimit të tyre dhënë në përfshirjen e konsultimeve nga palët adekuate.”- theksoi zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiç.

Propozim-ndryshimet e Ligjit për procedurë penale parashikojnë shtyrjen e afateve për palën mbrojtëse, me ç’rast të dyshuarve, në vend të afatit  15 ditor për dorëzimin e dëshmive, u jepet një afat i ri prej 90 ditësh. Kjo, sipas propozimit të VMRO-së dhe BDI-së, duhet  të vlejë edhe për lëndët të cilat janë në procedurë në Prokurorinë Speciale. (Naim Ramadani, TVM2)