Drama me Raportin e PPS-së, VMRO akuzon Janevën, LSDM kërkon edhe Zvërlevskin

31.03.2016 18:59

Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive po mban peng Raportin për punën e Prokurorisë Speciale, i cili është në rend për shqyrtim në seancë plenare...

Kreu i Komisionit, Vllatko Gjorçev, për të katërtën herë radhazi po e ndërpret seancën, në të cilën nuk është miratuar as rendi i ditës, për shkak mungesës së prokurores speciale, Katica Janeva.

“Nuk janë krijuar kushtet për fillimin e Komisionit për Sistem Politik pasi znj. Katica Janeva konsideron se ajo duhet të jetë funksionari i vetëm në RM, i cili asnjëherë nuk duhet të vijë në institucionin më të lartë ligjvënës, dhe se mundet të shpallë të gjitha institucionet jolegjitime, edhe presidentin, edhe Kuvendin, edhe gjykatat edhe institucionet e tjera, duke e konsideruar vetëm veten legjitime.”- deklaroi Vlladko Gjorçev nga VMRO-DPMNE.

Opozita maqedonase, e cila po bojkoton punën e Komisionit në këtë seancë, akuzon kreun e Komisionit se po shkel Rregulloren për punë, kur e pezullon seancën për shkak të mungesës së Janevës, pa e miratuar rendin e ditës. Veç kësaj, ata kërkojnë që në seancë, paralelisht, të diskutohet edhe raporti i prokurorit publik shtetëror, Marko Zvërlevski. 

“Është shkelje e Rregullores të konstatoni se nuk ka kushte për të mbajtur seancë pasi nuk ka përfaqësues, pa e konstatuar rendin e ditës. Në KSP nuk është miratuar rendi i ditës dhe ai është Raport për punën e PPS-së, i cili gjithashtu është në seancë plenare. Edhe unë dua të pyes: a vendosi Gjorçev barazi mes PPS-së dhe Prokurorisë Publike Shtetërore rreth obligimit se duhet të merret pjesë për raportet? Nuk e di a e dini se, nga viti 2005 nuk është shqyrtuar raport i Prokurorit Publik Shtetëror.”- theksoi Goran Sugarevski nga LSDM.

Sugarevski njoftoi se do të rikthehen në seancën e Komisionit vetëm nëse fillimisht miratohet rendi i ditës. Në të kundërtën, përsëriti qëndrimin se, nuk duan të bëhen pjesë e cirkut që përpiqet të bëjë kreu i këtij Komisioni. (Shpëtim Nuredini, TVM2)