Amnesty International”: Turqia kthen mbrapsht nga 100 sirianë në ditë
“Amnesty International” ka akuzuar Turqinë se po kthen mbrapsht me forcë me mijëra refugjatë sirianë në zonat e luftës...

Ankaraja ka firmosur marrëveshjen me BE-në për të frenuar fluksin e emigrantëve drejt Evropës, pakt ky që përkundrejt lëshimeve të mëdha të bëra turqve diktonte sistemin e emigrantëve atje.
Por, që prej mesit të janarit, thotë Organizata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, mijëra sirianë janë dërguar në vendlindjen e tyre të shkatërruar nga konflikti i brendshëm 5-vjeçar, çka evidenton, sipas saj, “të metat e tmerrshme” të marrëveshjes BE-Turqi.
Kjo e fundit e detyron Ankaranë të marrë mbrapsht të gjithë emigrantët dhe refugjatët e nisur ilegalisht drejt Greqisë në këmbim të një ndihme të bollshme monetare, udhëtimit pa viza për turqit dhe përshpejtimit të bisedimeve të anëtarësimit në bllokun evropian.
Marrëveshja e konsideron Turqinë një vend të sigurt për azil dhe, sipas “Amnesty International,” është e qartë se nuk qëndron. Grupi me seli në Londër jep dhe shifra e këmbëngul se që prej mesit të janarit, në shpërfillje të hapur të ligjit ndërkombëtar, nga Turqia janë dëbuar me forcë rreth 100 refugjatë sirianë në ditë.
Shumica e të deportuarve në Siri duket të jenë refugjatë të paregjistruar, por Amnesty ka të dhëna se makineria e kthimit të detyrueshëm nuk ka përjashtuar as disa sirianë me dokumente të rregullta.
Në përpjekjen e dëshpëruar për të mbyllur kufijtë e bllokut, liderët e BE-së kanë injoruar me vetëdije faktin e thjeshtë se Turqia nuk është një vend i sigurt për refugjatët sirianë, thotë drejtori i Amnesty-së për Evropën dhe Azinë qendrore, John Dalhuisen, dhe çdo ditë e më shumë po bëhet edhe më pak e sigurt, shton ai.
GAZMEND KURTISHI
