Maqedoni

Vendimi i BDI-së, reagojnë partitë jashtëparlamentare

01.04.2016 12:15

Pas vendimit të tillë të kryesisë së BDI-së kanë reaguar partitë jashtëparlamentare shqiptare...

LR-PDSh vlerëson se vendimi për të tërhequr ca ministra për t’i zëvendësuar me të tjerë është një lojë e radhës e partisë shqiptare në pushtet, sepse sipas kreu të LR-PDSh-së, Zijadin Sela, kjo tregon se BDI vetëm po ndërron ministrat dhe nuk po e lëshon qeverinë, pra BDI do të vazhdojë t’i mbrojë pikërisht ata që i përgjojnë dhe i shantazhojnë. 
 
Lëvizja BESA vlerëson se BDI po i bën shërbimin e fundit VMRO-së.
 
“Akoma pa u pastruar lista zgjedhore, pa përfunduar reformat shumë të nevojshme në media dhe pikërisht kur filloi të veprojë Prokuroria Speciale, BDI po e braktis qeverisë, që kështu t’ia bëjë shërbimin e fundit VMRO-DPMNE-së dhe t’i mundësojë asaj të shpëtojë çka të mundet dhe t’i shpëtojë zyrtarët e saj që tashmë janë të vdekur politikisht”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes BESA.
 
Nga BESA kërkojnë “qeveri ekspertësh me mandat për realizimin e zgjedhjeve dhe regjistrimin e popullsisë, në të kundërtën “Besa” mund të bëjë thirrje për bojkot dhe të mos marrë pjesë në ato zgjedhje ku legjitimohet manipulimi, ku rizgjidhen kriminelët dhe ku nëpërkëmbet vullneti demokratik i qytetarëve të Maqedonisë”, thonë nga BESA. 
 
Nga UNITETI vlerësojnë se vendimi i BDI-së për tërheqjen e përfaqësuesve të saj nga pushteti ekzekutiv dhe delegimin e të gjitha kompetencave ekzekutive kryetarit të partisë është vetëm një truk parazgjedhor në favor të vendimit të VMRO-DPMNE-së për të mbajtur zgjedhje sa më të shpejta, edhe pse ndërkombëtarët dhe opozita kërkojnë që paraprakisht të plotësohen kushte për këtë.
 
UNITETI edhe një herë përsëritë vendimin e organeve të saj më të larta, se do ndjekë zhvillimet politike në vend dhe do të insistojë që sa më shpejtë të krijohen kushte që qytetarët në mënyrë plotësisht të lirë të votojnë për përfundimin e kësaj agonie si dhe për ndryshime pozitive në vendin tonë. 
 
Edhe nga PPD vlerësojnë se vendimi i fundit i BDI-së është një lojë.
 
“BDI nuk e lëshoi qeverinë kur kërkuan shqiptarët, por vendosi ta lëshojë për nevoja vetanake të funksionarëve të partisë”, thonë nga PPD.