Tërheqja e funksionarëve aktualë nga Qeveria, BDI: “nëntoka” përpiqet të degjenerojë procesin
Ministrat dhe zëvendësministrat e BDI-së dorëzuan dorëheqjet e parevokueshme pas vendimit të kryesisë qendrore të partisë...

Të gjitha kompetencat për vendimmarrje të mëtejshme për të rishqyrtuar politikat partiake dhe për të vendosur për të ardhmen janë tani në duart e liderit të kësaj partie, Ali Ahmetit. BDI ka qenë gjithnjë konstruktive për zgjidhjen e krizës politike, ka dhënë kontribut kyç në miratimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje. Por, i tërë procesi që në fillim u komprometua si pasojë e prodhimit të mijëra përgjimeve të paligjshme dhe më pas edhe të distribuimit të tyre në duar të krimineleve, me qëllim të keqpërdorimit nëpërmjet të “Fabrikave të aferave”, thonë nga BDI.
“Që nga nisja e zbulimit të përgjimeve joligjore nga opozita maqedonase, BDI ka kërkuar që të botohet çdo bisedë autentike joligjore që ka të bëjë me krim dhe keqpërdorim të detyrës, por në mungesë të materialeve të tilla të cilat denoncojnë korrupsion ose krim nga ana e anëtarëve të BDI, qendrat që e luftojnë BDI-në qysh nga viti 2002 po prodhojnë montime dhe fabrikime të përgjimeve, të cilat janë absolutisht të papranueshme dhe paraqesin metodën më të ulët dhe jonjerëzore të sulmeve politike dhe personale. Që nga themelimi i BDI-së dhe nga pamundësia t’a dobësojnë përkrahjen absolute qytetare për Ali Ahmetin dhe BDI--në, qarqe të caktuara prodhojnë falsifikime të njëpasnjëshme, duke përfshirë dosje të fabrikuara, afera korruptive të paqena dhe biseda të montuara si mjet i fundit për ta luftuar besimin e palëkundur të shqiptarëve ndaj BDI-së dhe për ta dobësuar faktorin politik shqiptar në Maqedoni.”- thuhet në kumtesën e BDI-së.
BDI i denoncon këto publikime si tërësisht të pavërteta, të montuara dhe fton qytetarët që mos të bien pre e kriminelëve dhe qendrave tradicionalisht antishqiptare të cilët po shantazhojnë njerëz të jetës publike, biznesmenë e politikanë, me montime të krijuara, në përpjekje që të rrënojnë procesin demokratizues, nga i cili kanë dobi të gjithë qytetarët.
“BDI kërkon nga institucionet e vendit, në veçanti Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë Publike, që të ndërmarrin masa të menjëhershme për t’i arrestuar falsifikatorët, distribuuesit dhe botuesit e përgjimeve të montuara. Ndërsa, njëkohësisht, si pasojë e dështimit institucional dhe manipulimit politik, BDI nuk merr asnjë përgjegjësi të vetme për daljen e situatës nga kontrolli institucional dhe mundësisë së zbatimit individual të gjyqësisë dhe drejtësisë. BDI fton njëkohësisht edhe Prokurorinë Speciale që të kyçet menjëherë në hetimin e këtij krimi të rëndë, i cili po synon dëmtimin personal publik të figurave shoqërore dhe po cenon edhe punën e këtij institucioni, i cili ka përgjegjësinë ligjore për bisedat e përgjuara, të cilat tashmë po tregtohen dhe po përpunohen në tregun e zi gjithandej në rajon.”- thonë nga BDI.
BDI nuk është shkaktare e krizës, por është zëri i arsyes dhe promotor i zgjidhjes. Por, BDI tashmë është bërë viktimë e devalvimit dhe komprometimit të procesit. Andaj dhe vendosi t’i tërheq të gjithë anëtarët aktual nga pushteti ekzekutiv. Por, BDI nuk do të tolerojë degjenerim të procesit, cenim të gjykimit të sovranit, instalim në skenën të poltronistëve të nëntokës.
“BDI mbrëmë demonstroi unitet absolut të radhëve të veta si dhe mobilizim maksimal për ta luftuar të keqen që po i gatuhet shqiptarëve nga qendra që nuk ia duan të mirën as shqiptarëve, as vendit, e as rajonit.”- thuhet në kumtesën e BDI-së. (Meral Ismaili, TVM2)
