“Most” propozon ndryshime ligjore për largimin e votuesve të dyshimtë

01.04.2016 16:10

Asociacioni qytetar “Most” propozon ndryshime të disa ligjeve, me qëllim të përshpejtimit të procedurës për largimin e votuesve të dyshimtë nga lista zgjedhore...

Drejtori ekzekutiv i “Most”, Darko Aleksov, sqaroi se bëhet fjalë për ndryshime në Ligjin për letërnjoftime, vendbanim dhe qëndrim të përkohshëm, si dhe për ndryshime në Ligjin për procedurë administrative. Sipas tij, me këto ndryshime ligjore e gjithë procedura e paraparë për një vit mund të përshpejtohet vetëm për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke u shkurtuar në 70 ditë.

“Sipas legjislacionit aktual, nevojiten rreth 20 ditë për të përfunduar procesin e anulimit të letërnjoftimit dhe vendbanimit dhe nëse qytetari paraqet ankesë dhe pastaj ngre kontest administrativ, procedura mund të zgjatet edhe më shumë se një vit, me ç’rast në këto afate nuk është përllogaritur koha e cili paraprakisht do t’i nevojitet Ministrisë së Brendshme për kryerjen e inspektimeve administrative dhe kontrollet në terren të këtyre zgjedhësve që të konstatohet nëse mund të fillojë procedurën për revokimin e vendbanimit dhe letërnjoftimit”- deklaroi drejtori ekzekutiv i “Most”-it, Darko Aleksov.

Nga “Most” kanë edhe vërejtje tjera rreth regjistrit zgjedhor, siç janë afatet e shkurtra për përpilimin e regjistrit zgjedhor, shqyrtimin publik dhe mosridefinimin e numrit të votuesve nëpër njësitë zgjedhore. Po ashtu “Most” ka vërejtje edhe për vendimin e KShZ-së që të mos kontrollohen 124.072 votuesit jokonzistent të identifikuar gjatë kryqëzimit të të dhënave. (Ersan Pajaziti, TVM2)