Thellohet kriza me refugjatët në Greqi, përleshje të reja me thika
Incidentet në kampet e refugjatëve në Greqi janë gjithnjë e më të shpeshta...

Të paktën 5 persona u lënduan në incidentin e fundit në ishullin Kios, që ndodhi në orët e para të mëngjesit mes refugjatëve me kombësi të ndryshme. Arsyet për këtë ende nuk dihen, por organizatat humanitare që punojnë në atë zonë informuan se në këtë incident u përleshën qindra refugjatë me thika dhe gjësende të forta, gjithashtu u dëmtuan shumë tenda të refugjatëve dhe shkatërruan pothuajse të gjitha pajisjet e organizatës “Mjekët pa kufij” në ishullin Kios.
Atmosferë tejet e tensionuar mbizotëron edhe në Idomeni apo Pirea. Refugjatët janë gjithnjë e më të revoltuar për shkak të ndërprerjes së rrugës ballkanike. Më shumë se 11 mijë emigrantë në Idomeni nuk e kanë ndërmend t’i braktisin kampet. Ata ende shpresojnë se Evropa do të zbutet dhe do të rihapen kufijtë për ta.
“Ju e dini se ky vend është i tmerrshëm, ne nuk dimë se çfarë duhet të bëjmë këtu. Ne nuk duam të qëndrojmë në Greqi, sepse edhe këtu vërehet kriza ekonomike. Duam të shkojmë në Gjermani”- deklaroi refugjati nga Iraku, Karzan Kamaran.
Autoritetet greke në këto kampe kanë shtuar numrin e forcave policore për shkak se frikësohen se sonte mund të ndodhin incidente të reja. Për momentin në Idomeni dhe Portin e Pires ndodhen rreth 20 mijë refugjatë, ndërsa fluksi i mbërritjes së tyre në Greqi nuk ka të ndalur. Vetëm sot në Pire arritën rreth 1 mijë e 500 refugjatë të tjerë.
Nga ana tjetër, ministri kanadez për migrim, Xhon Mekalum, tha se Kanadaja do të pranojë edhe 10 mijë emigrantë të tjerë nga Siria. Me këtë deri tani Kanadaja rrumbullakon pranimin e 26 mijë refugjatëve sirianë në këtë vend. Autoritetet kanadeze gjithashtu informojnë se janë në shqyrtim e sipër edhe të 16 mijë kërkesave tjera për azil nga Siria. (Rexhep Qamili , TVM2)
