Samiti për siguri bërthamore, Koreja e Veriut sërish me prova balistike
Gjatë Samitit për siguri bërthamore, që mbahet në Uashington, liderët botërorë kanë paralajmëruar Korenë e Veriut të ndalojë planet për ndërtimin e bombave atomike dhe testet e predhave në det...

Presidenti amerikan, Barak Obama, së bashku me homologët e tij nga Japonia dhe Koreja e Jugut, paralajmëruan Penjanin kundër provokimeve të mëtejshme.
Tre liderët i bënë thirrje Koresë së Veriut që të ndalojnë testet nukleare dhe ato të predhave, ose në të kundërt do të përballen me sanksione të tjera. Vetëm disa orë pas paralajmërimit, Koreja e Veriut ka hedhur një predhë në pjesën lindore të detit.
Një zyrtar i ushtrisë koreano-jugore tha se ata po përpiqeshin që të testonin të njëjtin lloj të predhës. Liderë nga më shumë se 50 shtete të botës diskutuan në Uashington se si të parandalohet rënia e materialeve nukleare në duart e terroristëve.
Samiti për sigurinë nukleare u zhvillua pas sulmeve terroriste në Bruksel, pasi është rritur frika se terroristët e ISIS-it mund të godasin impiante nukleare dhe të vjedhin materialet e tyre për të ndërtuar bomba. Në këtë takim mungoi presidenti rus, Vladimir Putin, i cili bën pjesë në nëntë shtetet që posedojnë bombë atomike.
