Reagime, si u panë dorëheqjet e BDI-së?
Gruevski: Dorëheqjet, punë e BDI-së; LSDM: Dorëheqjet e BDI-së thellojnë krizën; PDSH: Dorëheqjet, kulm i hipokrizisë; UNITETI, LR-PDSh, BESA, RDK kritikë ndaj vendimit të fundit të BDI-së...

Lideri i VMRO–DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dorëheqjet e parevokueshme të ministrave të BDI-së i vlerëson si punë të brendshme partiake.
“Unë nuk kam ndonjë koment të veçantë. Bëhet fjalë për vendim të brendshëm të partisë. Është vendimi i tyre dhe unë nuk do ta komentoja”- deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Nga LSDM vlerësojnë se dalja e BDI-së nga qeveria e komplikon edhe më shumë krizën politike. Arsyet për këtë vendim duhet kërkuar në BDI, thotë Hari Llokvenec nga LSDM.
“Adresa vërtetë për një pyetje të tillë është në BDI, e cila duhet të japë përgjigje të drejtpërdrejtë në lidhje me arsyet për një veprim të tillë, dalje nga qeveria teknike me qëllim të vetëm realizimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike.”- tha Hari Lokvenec nga LSDM.
Nga ana tjetër, PDSh dhe partitë tjera të bllokut shqiptar dorëheqjen e parevokueshme të ministrave të kësaj partie nga qeveria e vlerësojnë si kulm të hipokrizisë.
“Akti i vendimit të BDI-së për dalje nga Qeveria është kulmi i hipokrizisë. Hyrja apo dalja prej qeverie është njëra prej vendimeve kryesore të një subjekti politik. Ali Ahmeti dhe BDI nuk e arsyetoi daljen, vjedhjen, korrupsionin, krimin e organizuar dhe tani amoralitetin pretendojnë të na shesin si vlerë kombëtare dhe patriotike.”- theksoi Oran Ibrahimi nga PDSh.
“Bashkimi Demokratik për Integrim nga gjitha pozicionet ekzekutive t’i jepen kryetarit të partisë për veprime dhe vendim të mëtutjeshme është vetëm truk politik që si e si do t’i shkojë në favor VMRO-DPMNE-së dhe Nikolla Gruevskit.”- u shpreh Zulfi Adili nga UNITETI.
LR-PDSh e ka quajtur këtë një thirrje të BDI-së: “BDI po bën shtirjen e radhës në vazhdën e shumë shtirjeve dhe mashtrimeve që ua ka servuar shqiptareve”.
Sipas RDK-së: “Vendimi i mbrëmshëm i BDI-së shpreh situatën e vështirë të këtij subjekti të kapur nga partia e saj simotër, VMRO, dhe dëshirën e BDI-së për t'i hedhur hi syve popullit shqiptar me lojëra që tashmë janë bërë të zakonshme në situatat parazgjedhore”.
Nga Lëvizja BESA thonë se me hapin e mbrëmshëm BDI-ja po mbështet qëndrimin e VMRO-DPMNE-së për mbajtjen me çdo kusht të zgjedhjeve më 5 qershor.
“Akoma pa u pastruar Lista zgjedhore, pa përfunduar reformat shumë të nevojshme në media dhe pikërisht kur filloi të veprojë Prokuroria Speciale, kjo parti po e braktis qeverisë, që kështu t’ia bëjë shërbimin e fundit VMRO-DPMNE-së dhe t’i mundësojë asaj të shpëtojë çka të mundet dhe t’i shpëtojë zyrtarët e saj që tashmë janë të vdekur politikisht.”- thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.
Pavle Trajanov këtë e sheh si një mundësi për krijimin e qeverisë së ekspertëve. Ndërsa Tito Petkovski nga Partia e re Socialdemokrate thotë se vendimi i BDI-së hap disa skenare të mundshme për zhvillimin e ngjarjeve, por edhe ai dyshon se edhe ky hap është bërë në marrëveshje me VMRO-DPMNE-në, për ta vulosur datën 5 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve. (Sanije Duraku, TVM2)
