KShZ: Tërhiqen nga ueb faqja personat që duhet anketuar

01.04.2016 18:01

Me kërkesë të Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisioni Shtetërorë i Zgjedhjeve ka tërhequr listën e personave që ishin lëndë e kontrollit nga ueb faqja e saj zyrtare...

Anëtarët njëzëri e kanë miratuar këtë vendim, ndërsa kanë paralajmëruar edhe kallëzim në Gjykatën Administrative, njofton KShZ. 

“KShZ i respektoi vendimet e kësaj drejtorie, me çka edhe mori vendim që këto të dhëna përkohësisht të tërhiqen, ndërsa paralajmëroi edhe padi deri te Gjykata Administrative brenda afatit, i cili është dhënë nga ana e kësaj drejtorie.”- deklaroi Admir Shabani nga KShZ.

Ndërkohë, KShZ po vazhdon me kontrollin në terren dhe vetëm në dy ditët e para janë anketuar 20.532, bëjnë të ditur nga KShZ.

“Për dy ditët e para, d.m.th për 28 dhe 29 mars, janë dërguar në mënyrë elektronike deri te KShZ mbi 20 mijë pyetësorë të plotësuar konkretisht, 20.532 pyetësorë dhe afër 500 njoftime të cilat u janë lënë personave në adresat e banimit, me çka ato persona obligohen që brenda afatit treditorë të paraqiten deri te njësia rajonale e KShZ-së, aty edhe ku do të kryhet anketimi”- tha Admir Shabani nga KShZ.

Në disa rajone, ku numri i lëndëve ka qenë i vogël, ka përfunduar kontrolli, ndërsa anketuesit kanë vazhduar me punë në njësitë rajonale ku më shumë ka nevojë. (Naim Ramadani, TVM2)