Botë
Në Idomeni tensionohet gjendja, përplasje ndërmjet policisë dhe refugjatëve
02.04.2016 17:17
Pas rritjes së tensioneve dhe incidenteve në kampin e improvizuar në Idomeni, ku janë të ngujuar mijëra refugjatë...

Pas rritjes së tensioneve dhe incidenteve në kampin e improvizuar në Idomeni, ku janë të ngujuar mijëra refugjatë, ministri grek i emigracionit tha se do gjejnë një zgjidhje për fatin e këtyre njerëzve.
Tensionet në kampin e refugjatëve në Idomeni, i cili ndodhet në vendkalimin kufitar greko-maqedonas filluan pasi forcat e policisë greke u përpoqën që të largojnë refugjatët dhe emigrantët nga hekurudha ndërkombëtare që lidh Greqinë dhe Maqedoninë, e cila në shenjë proteste mbahet e bllokuar gati mbi dy javë, ndërsa refugjatët dhe emigrantët iu përgjigjën policisë me gurë dhe mjete tjera të forta.
Arsyeja tjetër për rritjen e forcave policore greke është edhe frika se tensionet mund të rriten me kthimin e refugjatëve dhe emigrantëve që kanë kaluar ilegalisht përmes Turqisë, e cila nga autoritetet greke është paralajmëruar për javën e ardhshme.
Greqia thotë se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për zbatimin e marrëveshjes mes BE dhe Turqisë, e cila parashikon kthimin pas në Turqi të të gjithë emigrantëve që arrijnë në Greqi përmes rrugëve ilegale. Ankaraja në bashkëpunim me autoritet më 4 prill do filloj kthimin e emigrantëve.
Nga ana tjetër Organizata botërore jo-qeveritare për të drejtat e njeriut “Amnisty International” ka akuzuar Turqinë se ilegalisht brenda 9 javëve, ka kthyer pas mijëra refugjatë në vendet e luftës.
Momentalisht në Idomeni qëndrojnë të bllokuar rreth 12 mijë refugjatë, ndër të cilët përveç atyre nga Siria dhe Afganistani të cilëve u lejohet të aplikojnë në programin e BE-së për zhvendosjen e refugjatëve, ka edhe prej tyre nga Afganistani dhe vendet tjera të Lindjes së Mesme, të cilët kanë kaluar ilegalisht në territorin e Greqisë dhe do të duhet të kthehen në Turqi.
BESIM ABDULLAi
