Botë

Vuçiç nis vizitën në Kosovë

03.04.2016 13:01

Zëvendësdrejtori rajonal i Policisë së Kosovës për pjesën veriore, Besim Hoti, ka konfirmuar se në orët e hershme të mëngjesit...

Zëvendësdrejtori rajonal i Policisë së Kosovës për pjesën veriore, Besim Hoti, ka konfirmuar se në orët e hershme të mëngjesit, është hedhur një bombë dore në oborrin e palestrës së re sportive në Zubin Potok.

Nuk ka viktima në njerëz, ndërsa raportohet se është dëmtuar një veturë.

Në këtë sallë është paraparë që kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbajë një fjalim, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë. Vizitën e tij e siguron policia e Kosovës.
 
Zëvendësdrejtori rajonal i Policisë së Kosovës për pjesën veriore, Besim Hoti, ka bërë të ditur se niveli i sigurisë është ngritur në shkallën më të lartë dhe se vizita e Vuçiqit po vazhdon ashtu siç është planifikuar.
 
Vizitën e tij në Kosovë, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka filluar sot në mëngjes në Leposaviq, ku i ka vizituar repartet e kombinatit “Trepça”.
 
Ai u ka thënë serbëve të tubuar aty se vetëm Serbia e fortë mund t’i mbrojë interesat e Serbisë dhe popullin e vet në Kosovë, prandaj këtë mesazh, siç ka thënë ai, ua ka dërguar “edhe atyre, të cilët me bomba dhe të shtëna janë përpjekur për ta frikësuar”.
 
Vuçiqi ka theksuar se “Trepçës” do t’i ndihmojë aq sa Serbia do të ketë mundësi dhe i ka falënderuar të punësuarit për përkushtimin e tyre, siç është shprehur ai, “që gjithnjë e keni mbrojtur Trepçën dhe që gjithnjë keni dëshiruar të punoni në të".