Botë

Bruksli fton në takim urgjent delegacionin nga Kosova dhe Serbia

03.04.2016 15:44

Me ftesë të Bashkimit Evropian, delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog Edita Tahiri...

Me ftesë të Bashkimit Evropian, delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog Edita Tahiri ka udhëtuar për në Vjenë për të marrë pjesë në takimin urgjent të ftuar nga BE, në lidhje me njohjen reciproke mes dy shteteve të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme të njohura si ADR.
 
Sipas një komunikate të Qeverisë së kosovës, përpjekjet e BE-së për zgjidhjen e çështjes për njohjen reciproke të certifikatave ADR janë në përkrahje të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për tregtinë e lirë mes dy shteteve të arritur në vitin 2011dhe në pajtim me parimet e CEFTA-në.
 
“Për këtë çështje është biseduar në Bruksel gati më shumë se shtatë muaj me kërkesën dhe insistimin e ministres për Dialog Edita Tahiri, që nga koha kur Serbia bllokoi importet nga Kosova. Mirëpo, Serbia nuk tregoi gatishmëri që përmes dialogut të Brukselit të arrihet marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave të ADR-së, edhe pse më parë ishin arritur marrëveshje për njohjen reciproke të certifikatave fitosanitare dhe të produkteve farmaceutike. Si kundër përgjigje për mosgatishmërinë e Serbisë dhe vënien e bllokadës për importin nga Kosova në kundërshtim me CEFTA-në,Qeveria e Kosovës mori vendim për masa reciprociteti për mosnjohjen e certifikatave dhe ndaloi importin e mallrave të rrezikshme nga Serbia, vendim ky të cilin e mori Ministria për Tregti dhe Industri. Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është se derisa të mos arrihet marrëveshja me ndërmjetësimin e BE-së për njohjen reciproke të certifikatave të ADR-së, masat e reciprocitetit nuk do të hiqen”, thuhet në komunikatë.
 
Ministria për Dialog e ka njoftuar rregullisht BE-në për këto zhvillime duke argumentuar se sjellja e Serbisë është në kundërshtim me parimet evropiane për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, e cila rezultoi në thirrjen urgjente të këtij takimi.
 
Takimi i paraparë që të mbahet në Bruksel, kësaj radhe do të mbahet në Vjenë, për shkak se Aeroporti i Brukselit ende nuk është hapur plotësisht për qarkullim të lirë pas ngjarjeve tragjike të ditëve të fundit.
 
BESIM ABDULLAI