Publikohet dosja “Panama”, skema e mashtrimit për fshehjen e pasurisë

04.04.2016 13:03

Një grup gazetarësh ndërkombëtarë publikuan një raport në lidhje me aktivitetet financiare të personaliteteve të shquara botërore të politikës, artit, sportit e biznesit...

Rreth 11.5 milionë dokumente nga një zyrë juridike nga Panamaja , me emrin “Mossack Fonseca” tregojnë se si kjo kompani ndihmon klientët e vet që t’i shmangen taksave dhe të pastrojnë para.

Hetimi i Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë përmend 143 politikanë nga e gjithë bota, mes tyre 12 liderë shtetërorë, të cilët pretendohet se kanë përdorur kompani “offshore” për të fshehur pasurinë e tyre, në vende të treta, për të përfituar nga sistemi i taksave. Në dosje përfshihen emrat të njerëzve të pushtetshëm dhe të famshëm, si presidenti rus, Vladimir Putin, futbollisti i “Topit të Artë”, Leonel Messi, aktori, Jackie Chan, kryeministri britanik, David Cameron, ish kryetar i UEFA-s , Mishel Platini etj.

Edhe presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, kryeministri i Islandës, Sigmundur Davio, kryeministri pakistanez, Navaz Sharif, presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, dhe Alaa Mubarak-i biri i ish-presidentit të Egjiptit, besohet se janë disa prej atyre që kanë përdorur të njëjtën skemë për të fshehur pasurinë.

Edhe pse presidenti rus, Vladimir Putin, nuk përmendet në asnjë dokument, ICIJ raporton se disa prej bashkëpunëtorëve të tij, në mënyrë sekrete shpërndanë një vlerë prej 1,7 miliardë dollarësh në banka dhe kompani fantazmë.

Mbi të paktën 23 klientë të “Mossack Fonsecas” rëndojnë akuza se kanë mbështetur regjimet diktatoriale në Korenë e Veriut, Zimbabve, Iran, Siri dhe Rusi. Dosja “Panama” është rreth 1 500 herë më e madhe se dosjet e zbuluara nga Uikileaks. Firma ishte themeluar në vitin 1977 nga Jurgen Mossack dhe Ramon Fonseca, dhe operon në vende të njohura me sistem të ulët taksimi përfshirë Zvicrën e Qipron. Miliarda euro janë fshehur në vende të cilësuara si “parajsë fiskale”.

Dosjet sekrete i janë dërguar fillimisht gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung” e më pas asaj spanjolle “L”Espresso”, francezes “Le Monde” si dhe Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë .

Kompania thotë se ka përmbushur detyrimet ndërkombëtare për t’u siguruar se kompanitë nuk kryejnë evazion fiskal, nuk pastrojnë para, nuk financojnë terrorizmin dhe qëllime të tjera të jashtëligjshme. Por, qeveritë e disa prej vendeve nga vijnë personat e përmendur në listë kanë filluar tashmë hetimet. (Gazmend Kurtishi, TVM2)