Futboll
Turpërohet Interi, Torino fiton 2-1 në Meazza
04.04.2016 14:52
Torino respekton traditën dhe si një vit më parë, regjistroi një fitore surprizë në fushën e Interit...

Sfida në Meazza përfundoi 2-1 për “granata”-t, edhe pse gjithçka nisi në mënyrën më të mirë për vendasit, që në të 15-ën fituan një penallti pas prekjes së topit me dorë nga Moretti nga tentativa e Brozovic.
Mauro Icardi nuk gaboi, duke mposhtur Padelin. Pas avantazhit, Interi u përqendrua më së tepërmi te menaxhimi i lojës, me tentativat e Mirandas e Icardit nuk mjaftuan. Me zikaltërit që nuk arritën ta mbyllnin sfidën, Torino u hodh në kërkim të barazimit. Handanovic neutralizoi një gol të sigurt të Belotti-t në të 51-ën, por mrekullia e portierit zikaltër nuk mjaftoi.
Në të 53-ën gardiani i Interit u thye nga Molinaro, që e dërgoi topin në rrjetë pas kombiminit me Maxi Lopez. Zikaltërit vuajtën goditjen dhe u tradhëtuan nga Miranda, që në të 57-ën u ndëshkua me karton të kuq, pas një ndërhyrje naive në mesfushë. Mancini aktivizoi Murillo-n për Ljajic, ndërsa për të frenuar Interin u nevojit pritja e shkëlqyer e portierit Padelli pas goditjes me kokë të Icardit.
Por, mbrojtja nuk jepte siguri dhe tentativa e Maxi Lopez e neutralizuar nga Handanovic ishte sinjali i golit të dytë të Torinos. Në të 74-tën Nagatomo ndërhyri në mënyrë të parregullt në zonë ndaj Belotti-t. Karton i kuq për mbrojtësin dhe 11-metërsh në favor të Torinos.
Balotti përballë Handanovic nuk gaboi, duke vulosur fitoren 2-1 të Torinos, që i largohet zonës së rrezikshme në renditje. Pas disfatës së pësuar dhe 8 pikëve disavantazh nga Roma, vendi i tretë për Interin tashmë duket utopi.
