Maqedoni

Kuvend, konstatohen dorëheqjet e ministrave të BDI-së

04.04.2016 16:41

Kuvendi konstatoi dorëheqjet e dy zëvendëskryeministrave, gjashtë ministrave dhe katër zëvendësministrave, të gjithë nga radhët e BDI-së...

Me vendim të partisë shqiptare në pushtet, nga Qeveria e Maqedonisë ikin: Musa Xhaferi, Fatmir Besimi, Abdylaqim Ademi, Nurhan Izairi, Adnan Jashari, Bekim Neziri dhe Lirim Shabani, si dhe zëvendësministrat: Zemri Qamili, Ilmi Selami, Ardian Xheladini dhe Nimetulla Halimi.
 
Pas konstatimit të dorëheqjeve pritet që kryeministri, Emil Dimitriev, të dorëzojë në Kuvend propozimin me kandidatët për plotësimin e kabinetit qeveritar, me kuadro nga BDI, partnere në koalicionin qeverisës.
 
Jozyrtarisht mësohet se BDI propozimet e reja i ka dorëzuar në Qeveri, por lista ende nuk është përcjellë në Kuvend nga kryeministri Dimitriev.
 
Sapo të kenë arritur në Kuvend zgjidhjet kadrovike të BDI-së, pritet që kryeparlamentari të thërret takim koordinues për të caktuar seancë të re, ku do të votohen ministrat dhe zëvendësministrat e rinj.
 
Ndryshe, BDI, një ditë më parë njoftoi se në përputhje me vendimin e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe me kompetencat e tij statusore, kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti, ka vendosur të propozojë: Festim Halilin për zëvendëskryeministër, që do të drejtojë Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit; Arbër Ademin për zëvendëskryeministër, në krye të Sekretariatit për Çështje Evropiane; me Ministrinë e Drejtësisë do të udhëheq Valdet Xhaferi; Ministria e Arsimit dhe Shkencës i është besuar Pishtar Lutfiut; me Ministrinë e Ekonomisë do të drejtojë Driton Kuçi, ndërsa me atë të Mbrojtjes së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor do të udhëheq Bashkim Ahmeti.
 
Në krye të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale është caktuar Shyhrete Elezi, ndërsa Arlind Zeqiri do të jetë ministër pa resor–për investime të huaja. Zëvendësministra nga radhët e BDI-së do të jenë: Agim Nuhiu, Faton Pollozhani, Gëzim Beadini dhe Bekim Maksuti.
 
SHPËTIM NUREDINI