Thaçi president, kushtetuesja rrëzon padinë e opozitës
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të papranueshme padinë e opozitës kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit si president më 26 shkurt...

Tri partitë opozitare e kishin dërguar peticionin e tyre në gjykatë një muaj më parë, duke pretenduar për shkelje të procedurave dhe sa i takon numrit të deputetëve të pranishëm në seancë.
Por, Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka sqaruar se, sipas Kushtetutës, për zgjedhjen e presidentit duheshin dy të tretat e votave të deputetëve, përkatësisht 80 prej tyre.
Sipas pikës 60 të vendimit të Gjykatës, në rastin e zgjedhjes së Thaçit president në tri raundet e votimit kanë marrë pjesë 81 deputetë.
Prandaj, gjykata e ka shpallur kërkesën e partive opozitare si të papranueshme. Hashim Thaçi detyrën zyrtare pritet ta marrë më 7 prill, kur parashikohet të bëjë edhe betimin solemn në Kuvendin e Kosovës.
