Kulturë
ITShKShM, promovohet “Eposi i Kreshnikëve”
04.04.2016 17:01
“Eposi i Kreshnikëve–monument i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në pesë vende të Ballkanit”...

“Eposi i Kreshnikëve–monument i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në pesë vende të Ballkanit”, për përgatitjen e të cilit u angazhuan rreth 90 mbledhës të folklorit nga të gjitha trevat shqiptare, u promovua sot në ITShKShM.
Materiali i mbledhur në terren është botuar në 15 vëllime si paralibra të cilat bartin në vete vlera të mëdha të eposit epik shqiptar që nga kohërat më të hershme.
Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se ky projekt flet shumë për të kaluarën, historinë, traditën dhe autoktoninë e shqiptarëve në Ballkan.
Sipas tij, me interes të veçantë është hulumtimi i eposit të trevave shqiptare të Maqedonisë, nga Kumanova e deri në Kërçovë, të cilat janë përfshirë në këtë hulumtim.
“Deri më tash është projekti më i madh i realizuar i shkencës shqiptare në terren, i cili është argumenti kyç për ta argumentuar në mënyrë shkencore qenien tonë në këto treva. Bëj apel tek profesionet tjera të institucionet tjera që këso projekte të jenë më të shpeshta dhe ta arrijmë qëllimin, ta shkruajmë vetë historinë tonë, ta argumentojmë vetë historinë tonë, se të tjerët kanë shkruar për ne, por ne për vete asnjëherë s’kemi shkruar”- deklaroi drejtori i ITShKShM-së, Skender Asani.
Bartësi i projektit, prof. Zymer Neziri, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, tha se ky projekt ka zgjatur katër vite dhe ende vazhdon edhe më tej të rrumbullakohet.
“Pesha e këtij projekti, pra për albanologjinë, është shumë e madhe dhe vlera e tij është shumë me rëndësi për epikologjinë ballkanike evropiane dhe botërore. Natyrisht rëndësia për UNESKO-n është po ashtu shumë e madhe dhe është dëshmi me peshë në dosjen e përgatitur në Prishtinë”- tha profesori nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, Zymer Neziri.
Promovimin e përshëndetën edhe profesorë e studiues tjerë nga Prishtina dhe Tirana.
“Vepra e tij është madhore, u tha nga të gjithë gati, e begaton fondin e eposit tonë të kreshnikëve, sepse ka bërë gjurmime në zona që nuk janë bërë më herët gjurmime dhe ka sjellë materiale të rëndësishme”- theksoi profesori nga Prishtina, Enver Mehmeti.
“Në emër të pedagogëve dhe studiuesve nga Tirana, për punën kolosale që e keni bërë për eposin e kreshnikëve... gëzohem së bashku për realizimin e këtij projekti gjigant, për identifikimin e vlerave kulturore dhe historike të kombit tonë”- u shpreh profesori nga Tirana, Mark Palnikaj.
Ky projekt u mbështet nga komuna e Çairit dhe institucione tjera të vendit si dhe institucionet nga Shqipëria dhe Kosova.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
