Maqedoni

UNITETI dhe RDK, reagime pas ndërrimit të ministrave nga BDI

04.04.2016 17:29

Emërimi i ministrave të rinj nga BDI nuk është shenjë se kjo parti po ndërron qasjen, por kjo përbërje qeveritare ka mision vetëm...

Emërimi i ministrave të rinj nga BDI nuk është shenjë se kjo parti po ndërron qasjen, por kjo përbërje qeveritare ka mision vetëm t’i organizojë zgjedhjet, asgjë më shumë. Kështu vlerëson kreu i  UNITETI-t, Gëzim Ostreni, ndërrimin e kuadrove të BDI-së në postet ministrore.  
 
“Mendoj se nuk ndryshon qasje, mendoj se për njerëzit që janë emëruar është qëllimkeqe, i vendos për dy-tre muaj ministra dhe pastaj më leh i heq këta të rinj, prej të cilëve më i vjetri më duket se është 32 vjeçar. Tash nuk kemi qeveri që i adreson këta, por kemi qeveri që e përgatit shtetin për zgjedhje”- deklaroi lideri i UNITETI-t, Gëzim Ostreni.
 
Rilindja Demokratike Kombëtare shpreh shqetësimin e saj se partia shqiptare në pushtet po mundohet të mbulojë skandalet e rënda dhe dështimet e panumërta të këtij subjekti, duke vendosur në postet kryesore që kanë të bëjnë me drejtimin e vendit njerëz të rinj pa kurrfarë përvoje apo vizioni në menaxhimin e punëve të shtetit.
 
“Veprime të tilla të papërgjegjshme tregojnë për kapjen e rëndë të zyrtarëve më të lartë të kësaj partie dhe fshehjen e tyre pas të tjerëve. RDK shpreh edhe një herë qëndrimin e saj se nëse ka një person që duhet fajësuar për mjerimin e gjithëmbarshëm shoqëror që i ka mbuluar shqiptarët, ai është kryetari i BDI-së, personi që në këto 15 vjet ka përcaktuar të gjitha vendimet e marra nga ky subjekt, politikat e zbatuara dhe kuadrot e përzgjedhur në organet ekzekutive”- kanë reaguar nga RDK.
 
SANIJE DURAKU