Maqedoni
Këshilli i Qytetit të Shkupit, LSDM dhe VMRO përplasen për kryqin dhe shqiponjën
04.04.2016 18:00
Këshilltarët e LSDM-së dhe të VMRO-DPMNE-së në Qytetin e Shkupit sërish u përplasën për procedurën e përgjithshme...

Këshilltarët e LSDM-së dhe të VMRO-DPMNE-së në Qytetin e Shkupit sërish u përplasën për procedurën e përgjithshme dhe ngjarjet e fundit për Kryqin në Butel dhe për Shqiponjën e vendosur në Fushë Topanë.
LSDM kërkon përgjegjësi nga kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, sepse për këto dy çështje janë shkelur të gjitha procedurat e parapara për vendosjen e objekteve të tilla. Mançevski kërkon dorëheqjen e Trajanovskit, ndërsa ky fundit arsyeton veten se kompetencat për këtë janë të komunave në fjalë e jo të Qytetit të Shkupit.
“Dy objektet në fjalë nuk janë pjesë e programit kulturor të Qytetit të Shkupit as të komunës së Çairit dhe Butelit. Në Qytetin e Shkupit nuk është miratuar nevoja për vendosjen e këtyre dy objekteve. Nuk është miratuar vendimi për vendndodhjen e të njëjtave dhe as vendimi i pamjes së përmendoreve, ashtu siç parashikon procedura. Qyteti i Shkupit nuk është zyrtarisht i informuar as për investitorin e këtyre dy objekteve. Të gjitha këto shkelje tregojnë se dy objektet në fjalë janë të ndërtuara pa leje”- deklaroi këshilltari i LSDM-së, Damjan Mançevski.
“Qyteti i Shkupit nuk ka dhënë asnjë akt ligjor për këto dy objekte dhe ne në këtë rast po sillemi në pajtueshmëri me kompetencat që kemi. Ne nuk jemi përgjegjës për ndërtimin ose largimin e këtyre objekteve, po këto çështje i kanë vetë komunat”- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Ndërkohë, pikat tjera të nxehtë, të cila u shtynë nga rendi i ditës, ishin edhe informacionet që kishin të bëjnë me përfaqësimin e drejtë të nacionaliteteve në Ndërmarrjet Publike të Qytetit të Shkupit.
Grupi i këshilltarëve të PDSh-së, propozues të kësaj kërkese, bashkë me këshilltarët e BDI-së kërkuan informacione shtesë për numrin e saktë të udhëheqësve shqiptarë dhe të punësuarve gjatë viteve të kaluara.
“Kërkesa për përfaqësimin ka qenë më 10.12.2013 nga ana e grupit të këshilltarëve të PDSh-së sot e kësaj dite, do të thotë pas dy viteve e kemi në rend të ditës, por jo të kompletuar. Edhe atëherë edhe sot them se ju në mënyrë gjysmake na i servoni të gjitha përgjigjet, në të cilat jemi të obliguar me ligj dhe rregullore të kemi qasje në të gjitha numrat dhe gjendjen reale në institucionet” – theksoi këshilltari i PDSh-së, Idriz Orana.
“Unë propozoj që të plotësohet edhe me një segment. Në informatën që eventualisht do ta kemi, të bëhet një krahasim si ka qenë situata në 2009-tën kur PDSh ishte në bashkëqeverisje dhe çka ka ndryshuar deri tani”- u shpreh këshilltari i BDI-së, Qemal Musliu.
Brenda tre viteve të fundit në Qytetin e Shkupit kjo është kërkesa e katërt në të cilën kërkohen informacione të sakta për përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në vendet udhëheqëse të ndërmarrjeve publike, ku themelues paraqitet Qyteti i Shkupit.
REXHEP QAMILI
