Botë

Edhe Shqipëria në “Letrat e Panamasë”

04.04.2016 19:02

Gazeta izraelite Haaretz është një prej mediave kryesore të angazhuara në ekspozimin e skandalit financiar të pagëzuar me emrin “Panama Papers”...

Në morinë e dokumenteve të firmes ligjore panameze, ajo zbulon edhe emrin e një avokati izraelit, Assaf Halkin, i cili ka regjistruar plot katër kompani përmes Mossack Fonseca.
 
Një prej bizneseve të Halkinit, që citon gazeta është “GFI Technologies”. Kjo kompani është regjistruar në majin e 2013-ës në ishullin e Anguillas dhe pak javë më pas fitoi nga qeveria shqiptare e asaj kohe një nga kontratat më të përfolura, por edhe më të majme koncesionare, atë të ngjyrosjes së karburanteve. 
 
“Haaretz” shkruan se pronarët e kompanisë janë  avokati izraelit Halkin, firma kanadeze “Global Fluids International” si dhe një shtetas shqiptar, të cilin gazeta e quan Ismail Mulati, por që sipas përshkrimeve rezulton të jetë Ismail Mulleti.
 
Por GFI nuk e fitoi e vetme koncesionin e markimit të karburanteve. Pasi u regjistrua në Anguila, ajo u bashkua me një tjetër kompani të quajtur “Petrolium Consulting Partners”,  edhe kjo e fundit një kompani me aksioner të panjohur e regjistruar po në maj të 2013-s në Zvicër. 
 
Pak javë pas themelimit të koordinuar të dy kompanitë u bashkuan në një konsorcium dhe fituan nga qeveria shqiptare koncesionin dhjetëvjecar të shënjimit të karburanteve. 
 
Kontrata është një biznes gati 200 milionë euro, i cili ka lindur si një kompani “offshore” dhe që vazhdon të mbetet i mistershëm edhe sot.  Në shtator të vitit të kaluar, GFI u zhduk nga koncesioni duke mbajtur një shumë fare simbolike të aksioneve vetëm, 0.07 përqind dhe duke ja shitur atë plotësisht “Petrolium Consulting Partners”.
 
Ky operacion duket tipik i kompanive “offshore”, të cilat pasi formohen dhe realizojnë transaksione sekrete, mbyllen për të mos lënë gjurmë pas.  Por ai i markimit nuk është koncesioni i vetëm që buron nga “offshore”. Edhe kontrata të tjera koncesionare janë të përfolura se zotërohen nga biznese të krijuar në parajsa fiskale, çka nuk duket të jetë një rastësi./Top Channel