Botë
Refugjatët, pakënaqësi në Turqi. Kampet nuk janë gati
04.04.2016 19:29
Kthimi i refugjatëve nga Greqia në Turqi nisi sot me një grup fillestar prej 136 vetësh...

Por, përgatitjet në vendin pritës ecin ngadalë, e veç kësaj, rezistenca e turqve kundër planeve të strehimit sa vjen e rritet.
Në qytetet ku do të strehohen të deportuarit, Çesme dhe Dikili, pakënaqësia është e madhe, duke nisur që nga vet kryetarët e bashkisë.
“Në fazën e parë, këtu do të mbërrijnë afganë. Pastaj do të pasojnë sirianë. Por sirianët gëzojnë liri lëvizjeje në Turqi. Si do të funksionojë kjo punë? Si mund t’i mbash ata të lidhur këtu?”, shkruan “Deutsche Welle” duke cituar kryebashkiakun e Çesmes, Muhittin Dalgiç.
Pronari i një shoqërie turistike atje, Veysi Oncel thotë se, edhe kështu, ky është një vit mjaft i vështirë për Turqinë. Diskutohet për rënie deri në 50 për qind, - pretendon ai, - e në një sezon kaq të vështirë turistik nuk na duhet edhe një problem shtesë.
Kryetari i Bashkisë së Dikilit, të ndodhur përballë Lesbosit, Mustafa Torun, ankohet për infrastrukturën e pamjaftueshme të qytetit. “Askush nuk e mori mendimin e njerëzve të Dikilit. Ne këtu investojmë në turizëm ekologjik dhe në shfrytëzimin e ngrohtësisë së tokës. Refugjatët, - arsyeton ai, - do të jenë një pengesë. Ne arritëm të gjejmë investitorë, por tani ata me siguri do të tërhiqen”.
Nga Greqia llogaritet të kthehen gradualisht rreth 5.000 refugjatë të paligjshëm, ndërsa autoritetet turke do të përpiqen në të njëjtën kohë të pengojnë nisje të tjera drejt brigjeve greke./Top Channel
