Filloi seanca kuvendore për zgjedhjen e ministrave dhe zëvendësministrave të rinj të BDI-së
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë pasdite e filloi seancën 100-të ku duhet të zgjidhen ministrat dhe zëvendësministrat e rinj të propozuar nga BDI-ja...

Kryetari i Qeverisë për zbatimin e zgjedhjeve Emil Dimitriev para deputetëve elaboroi se bëhet fjalë për dikastere të cilat janë zbrazur pas dorëheqjeve të ministrave të cilët vijnë nga BDI dhe u konstatuan nga ana e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në seancën e djeshme.
"Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për Qeveri për zbatimin e zgjedhjeve e cila është dakorduar mes partive politike me Marrëveshjen qershor/korrik në Shkup e cila ka mandat dhe specifika të kufizuara dhe duke e pasur parasysh afatin e shkurtër deri te shpërbërja e Kuvendit për shkak të mbajtjeve të zgjedhjeve më 5 qershor, konsideroj se është korrekte dhe e përshtatshme të pranohet Propozimi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Qeverisë. Pres që këto persona nëse zgjidhen të qasen drejt punës me përkushtueshmëri maksimale, respektim të Kushtetutës dhe ligjeve dhe të tregojnë sjellje e cila është e vetëdijshme, me përgjegjësi dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë", tha Dimitriev.
Sipas propozimit të liderit të BDI-së Ali Ahmeti, zëvendëskryeministër i ri i Qeverisë i obliguar për çështje evropiane do të jatë Arbër Ademi, Festim Halili - zëvendëskryeministër i Qeverisë i obliguar për Marrëveshjen kornizë, Valdet Xhaferi - ministër i Drejtësisë, Pishtar Lutfiu - ministër i Arsimit dhe Shkencës, Driton Kuçi - ministër i Ekonomisë, Bashkim Ameti - ministër i Mjedisit jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Shyrete Elezi - ministre e Vetëqeverisjes Lokale.
Agim Nuhiu duhet të vijë në vendin e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Faton Pollozhani si zëvendësministër i Transportit dhe Lidhjeve dhe Gëzim Beadini si zëvendësministër i Financave.
Kandidatët e propozuar vijnë në vendet e ministrave të deritanishëm Musa Xhaferi, Fatmir Besimi, Bekim Neziri, Abdilaqim Ademi, Nurhan Izairi, Adnan Jashari dhe Lirim Shabani, si dhe zëvendësministrat Ardian Xheladini, Nimetulla Halimi, Zemri Qamili dhe Ilmi Selami, të cilët dhanë dorëheqje të parevokueshme të premten, pasi një ditë me parë vendim të tillë mori udhëheqësia partiake e BDI-së. Dorëheqjet ua ka konstatuar Kuvendi mbrëmë në fillim të seancës së 98-të.
