Ekonomi
LR-PDSh prezanton para OEMVP-së platformën ekonomike
05.04.2016 14:42
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ka takuar sot përfaqësuesit e LR-PDSh-së për të parë platformën...

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ka takuar sot përfaqësuesit e LR-PDSh-së për të parë platformën e tyre ekonomike e për të prezantuar qëndrimet e OEMVP-së, siç do të bëjë me të gjitha partitë politike në vend.
“OEMVP qëllim kryesor ka zhvillimin ekonomik të vendit, duke ndërtuar një ekonomi funksionale të tregut, që është konkurruese në nivel ndërkombëtar dhe duke mundësuar standarde të larta jete për të gjithë qytetarët. Nëse fokusohemi tek komuniteti i biznesit dhe adresimi adekuat i sfidave me të cilat ai ballafaqohet në çdo gërshetim të veprimtarisë së tij me politikbërjen në vend, Oda si mburojë e interesave të biznesit mundohet të artikulojë brengat e anëtarëve të saj dhe t’ju qaset problemeve, duke kërkuar zgjidhje të qëndrueshme në afat më të gjatë kohor. Ky zhvillim i qëndrueshëm ekonomik do të jetë i bazuar në disa faktorë kryesorë, që do të jenë katalizatorë të zhvillimit ekonomik.”- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
Në mesin e disa kërkesave drejt partive politike, OEMVP veçon përpilimin e masave konkurruese për zhvillim të biznesit dhe ekonomisë me afate më të definuara. Rrjedhimisht, nga të gjithë partitë politike, njëherit edhe nga Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare, OEMVP kërkon:
• transparencë dhe llogaridhënie për harxhimin e mjeteve buxhetore dhe politikbërjen;
• zvogëlim të pabarazisë së zhvillimit rajonal;
• braktisje të mitit për fuqi të lirë punëtore;
• masa të reja për zvogëlimin e papunësisë, duke synuar përgatitjen e fuqisë punëtore dhe orientimin e saj në profile specifike, përkatësisht në fushën e aftësimit dhe arsimit profesional;
• përpilim të një platforme ekonomike me plane strategjike afatmesme apo afatgjate për zhvillim të qëndrueshëm dhe konzistent ekonomik;
• angazhim serioz për rritje të BPV-së më shumë se 4%.
Kryetari i LR-PDSh-së, Ziadin Sela, kërkesat e OEMVP-së i konsideroi reale dhe të arsyeshme, duke cekur se nuk janë të parealizueshme, dhe siguroi bizneset e Odës që të njëjtat do të jenë të përfshira në platformën e tyre ekonomike.
ERSAN PAJAZITI
