Maqedoni

“Letrat e Panamasë”, mediat: “Tërmeti” sapo ka nisur

05.04.2016 15:07

“Letrat e Panamasë” po japin efektet e para të atij që mediat e quajnë “tërmet fiskal në rang global”...

Reagimi i parë mbërrin nga Islanda. Emri i kryeministrit të këtij vendi del në dosjet e publikuara.
 
Mijëra njerëz kanë protestuar në Islandë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Sigmundur Gunlaugson.
 
Në sheshin para parlamentit në Rejkjavik ishin mbledhur rreth 10 mijë persona, një shifër kjo që sipas policisë nuk ishte parë kurrë më parë në një demonstratë.
 
Vetë kryeministri ka kërkuar një votëbesim në Parlament, që në valën e presionit të publikut vështirë se do ta marrë.
 
Departamenti i Drejtësisë në SHBA tha se po studion informacionet nga 107 agjenci informative dhe organizata mbi dokumentet e Kompanisë “Mossack Fonseca”. Moska mohoi përfshirjen e Vladimir Putin në këto skema, duke i quajtur ato të pabaza dhe të bazuara në “Putinofobi”.
 
Në Britaninë e Madhe, publikimi i dosjeve udhëhiqet nga “The Guardian” dhe BBC. Që të dyja kanë raportuar për një bankier britanik, që jeton prej dekadash në Korenë e Veriut.
 
Ai ka hapur një kompani financiare “offshore” sekrete, e cila besohet se është përdorur nga regjimi i Penianit për të shitur armë dhe për të financuar programin bërthamor të vendit komunist.
 
Dhjetëra donatorë, deputetë dhe financiarë që mbështetën ardhjen në pushtet të Cameronit kanë lidhje me rrjetin e “parajsave fiskale”. Në Ukrainë, deputetët po kërkojnë me ngulm  nisjen e hetimeve për presidentin, Petro Poroshenko, emri i të cilit ka dalë në “Dosjen Panama”.
 
Autoritetet në Kinë kanë censuruar aksesin ndaj informacioneve mbi materiale për përfshirje në afera financiare ilegale për politikanë të lartë kinezë, në detyrë ose në pension, përfshirë presidentin, Xi Jinping. 
 
Në skandalin e shpërthyer së fundi në botë “Panama Paper’s” është përfshirë edhe klubi italian i futbollit, Inter. Prokurorët italianë do të nisin hetimet për të provuar nëse kompanitë kanë fshehur të ardhura, duke shkaktuar evazion fiskal në vend.
 
Vetë Kompania “Mossack Fonseca” nuk komenton raste të veçanta dhe këmbëngul se është një aktore e përgjegjshme e komunitetit financiar dhe sipërmarrës global dhe se nuk ka shkelur asnjë ligj.
 
GAZMEND REXHEPI