Botë

Dosja “Panama”, Prokuroria shqiptare nis hetimet

05.04.2016 16:14

Prokuroria shqiptare nis hetimet për përfshirjen e mundshme të kompanive apo shtetasve shqiptarë në skandalin e Panamasë...

Organi qendror i akuzës në Tiranë bën me dije se po bashkëpunon me organet e tjera ligjzbatuese për të kryer këto verifikime.
 
Prej dy ditësh po përflitet kompania e markimit të karburanteve GFI Albania si e përfshirë në skandalin e fshehjes së parave në “Parajsat Fiskale”.
 
E pyetur lidhur me këtë emër, kryetarja e Autoritetit të konkurrencës në Shqipëri, Lindita Lati, ka thënë se nuk ka informacione të pasqyrave financiare të kompanisë GFI.
 
Një tjetër reagim ka ardhur pas aludimeve se kjo kompani është përfshirë në skandal. Ish-kryeministri, Pandeli Majko, foli në Komisionin e ligjeve, duke u shprehur në këtë mënyrë:“Uroj që nga ky skandali i Panamasë të dalim të pastër, si majtas edhe djathtas. Se mos na dalë ndonjë emër dhe na sillni ndonjë nen tjetër të këtij projekt-ligjit për dekriminalizimin”.
 
Deri tani, i vetmi person i përfolur në Shqipëri për pastrimin  parave në “Parajsën fiskale të Panamasë” është biznesmeni, Ismail Mulleti, si pjesë e kompanisë GFI Albania. 
 
LULJETA NDOKA