Maqedoni

Mosmiratimi i Ligjit për mediat, ShGM: Pushteti ka frikë nga mediat e lira

05.04.2016 16:28

Mosvotimi i propozim-ndryshimit të Ligjit për shërbime audio dhe audio-vizuele në Kuvend ishte goditje me thikë e perspektivës evropiane të Maqedonisë...

Kështu vlerësojnë pesë organizatat e gazetarëve dhe të mediave që një javë më parë propozuan ndryshimet në Kuvend.
 
Ata janë të zhgënjyer nga ky veprim i mazhorancës për mospasje të dëshirës për të përmbushur kushtet të cilat vetë ata i parapanë në Marrëveshjen e Përzhinës në pjesën e mediave.            
                      
“Pushteti nuk dëshiron media të lira dhe profesionale, sepse frikësohet nga e vërteta, e cila është shumë ndryshe nga realiteti virtual që e krijojnë megafonat e tyre. Pjesa më e madhe e televizioneve nacionale janë vënë plotësisht në shërbim  të propagandës agresive të pushtetit, sikurse në kohën e regjimit të Sllobodan Milosheviçit”- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
 
Beteja e pesë shoqatave të gazetarëve dhe të mediave vazhdon edhe më tej. Ata në të ardhmen do të veprojnë në varësi se a do të ketë ose jo zgjedhje në qershor. Nëse nuk ka kohë për reforma në media deri në zgjedhje, atëherë ata nuk  përjashtojnë mundësinë të organizojnë protesta.
 
“Hapat tona të mëtejshëm në aspekt institucional do të varen para së gjithash se a do të ketë ose jo zgjedhje në qershor. Sipas kësaj, ne do të veprojmë dhe do t’i rishqyrtojmë hapat e ardhshëm, mirëpo beteja për të pasur reforma në media dhe për të themeluar media, që do të shërbejnë për interesin publik të qytetarëve, vazhdojnë edhe më tej, sepse mediat nuk janë të rëndësishme vetëm për kohën e zgjedhjeve, por edhe pas tyre”- tha Biljana Petkovska nga IMM.
 
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Organizata e Gazetarëve dhe të Mediave, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve, Këshilli i Etikës, Instituti i Mediave dhe Instituti për Studime të Komunikimit javën e kaluar dorëzuan në Kuvend propozimin e ndërmjetësuesit, Piter Vanhoutte, për të ndryshuar dhe plotësuar Ligjin për shërbime audio dhe audio-vizuele, por këto ndryshime nuk u mbështetën nga mazhoranca në Kuvend. 
 
REXHEP QAMILI