Zgjedhjet e 5 qershorit, Ahmeti: Politika të mos pengojë procesin; Thaçi skeptik për 5 qershorin: Ende nuk ka kushte
Situata aktuale në vend, gjendja e sigurisë, zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinës, integrimi në BE, reformat si dhe marrëdhëniet ndëretnike kanë qenë temë e bisedimeve mes drejtorit të Drejtorisë për zgjerim, Krisitan Danielson dhe liderëve nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinës...

Në takimin me kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, ky i fundit i ka kumtuar zyrtarit nga Brukseli që Komisioni Shtetëror Zgjedhor duhet ta bëjë punën me përpikëri, ndërsa BDI do t’i japë përkrahje për zbatim shembullor të zgjedhjeve.
Ahmeti ka ftuar edhe partitë e tjera politike që mos ta pengojnë procesin në çfarëdo mënyre. Ahmeti është zotuar se partia e tij do të angazhohet për vijim të reformave edhe pas zgjedhjeve do të ndërtojë politikat shtetërore në partneritet me komunitetin ndërkombëtar për të mirën e përbashkët, si dhe do të vijojë procesin integrues menjëherë pas zgjedhjeve të 5 qershorit.
Zgjedhjet ishin temë e bisedimeve edhe në takimin e zyrtarit të lartë të BE-së me kreun e PDSh-së, Menduh Thaçi. Sipas Thaçit, nuk ka rëndësi data e zgjedhjeve, por me rëndësi është të plotësohen kushtet e nevojshme.
“Është shumë me rëndësi që të gjithë të binden se çështja e zgjedhjeve është me rëndësi të jashtëzakonshme, nëse duan që seriozisht ta mbyllim plagën e vitit të kaluar duhet të bëjmë zgjedhje serioze, korrekte, fer dhe demokratike. Duhet të gjithë të punojmë, edhe institucionet edhe partitë politike, që të përmbushen kushtet dhe kushtet përmbushen deri në ditën kur mbahen zgjedhjet dhe në ditën kur jepet vlerësimi për ato zgjedhje”- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Danielson ka takuar edhe kryeministrin teknik, Emil Dimitirev, si dhe krerët e partive politike të VMRO-DPMNE-së dhe të LSDM-së, me të cilët po ashtu u theksua nevoja dhe angazhimi për zgjedhje të drejta, të besueshme dhe demokratike. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
