Maqedoni

Debat për qeverisjen e mirë, Maqedonia larg qeverisjes së mirë

05.04.2016 16:58

Maqedonia është larg qeverisjes së mirë. Kryetarja e “Transparensi Interneshënëll”, Sllagjana Taseva...

Maqedonia është larg qeverisjes së mirë. Kryetarja e “Transparensi Interneshënëll”, Sllagjana Taseva, thotë se kjo ndodh për shkak të mosprezencës së mjaftueshme të sektori civil në media si korrigjues të punës së qeverisë. Madje, sipas Tasevës, në media po ushtrohet fushatë e fuqishme kundër sektorit civil, duke i etiketuar ata si armiq të shtetit.
 
“Nëse dëshirojmë të ndryshojmë punët në shtet, ne do të duhet të flasim hapur dhe fajtorët t’i emërojmë me emrin e vërtetë. Por, shpeshherë pushteti nuk reagon ndaj porosive të sektorit civil të transmetuar nëpërmjet mediave ose i shpall si tradhtarë apo armiq. Sektori civil dhe mediat duhet të jenë korrigjues të pushtetit dhe pushteti do të duhet të bashkëpunojë me sektorin civil, që të marrë opinionin e qytetarëve se çfarë duhet të ndryshojë në punën e tyre.”- deklaroi kryetarja e “Transparensi Interneshënëll”, Sllagjana Taseva.
 
Sipas Elida Zylbearit nga “Portalb”, mediat janë të polarizuara në baza etnike sa i përket informimit mbi korrupsionin. 
 
“Çështjet e korrupsionit te sektori shqiptar më shumë mbulohen nga mediat shqiptare, ndërsa te sektori maqedonas nga mediat maqedonase. Kur ka probleme shqiptare më të vogla, mediat maqedonase aspak apo shumë pak interesohen për këto probleme të cilat i mbulojnë mediat shqiptare, ndërkaq mediat shqiptare shumë në mënyrë sipërfaqësore hyjnë me problemet që kanë të bëjnë me ministrat maqedonas apo me resorët e këtilla.”- tha kryeredaktorja e “Portalb”, Elida Zylbeari.
 
Vlerësimet e tilla u dhanë në debatin me temë: “Sektori civil dhe mediat për një qeverisje të mirë”, të organizuar nga Fondacioni “Metamorfozis”, ndërkaq përkrahur nga BE.
 
MERAL ISMAILI