Maqedoni
Danielson: institucionet të përkrahin punën e KShZ-së
05.04.2016 17:03
Kërkova nga të gjitha institucionet që të përkrahin punën e KShZ-së lidhur me pastrimin e Listës zgjedhore që të kthehet besimi tek qytetarët...

Kështu tha drejtori i Drejtorisë për Zgjerim në Komisionin Evropian, Kristian Danielson, pas takimit me liderët e katër partive politike më të mëdha në vend.
Sipas tij, edhe pse ka shumë punë për t’u bërë, me kujdes të veçantë do të përcjellin përgatitjet për zgjedhjet më 5 qershor.
"Shtyrja e zgjedhjeve dha edhe pak kohë për progres në përgatitjen e zgjedhjeve. Megjithatë, ka ende shumë punë dhe gjatë takimeve u rekomandova edhe partive edhe institucioneve shtetërore që të punojnë së bashku për të mbajtur zgjedhje të besueshme dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor. Veçanërisht u bëj thirrje zyrtarëve dhe institucioneve shtetërore për të mbështetur punën e KShZ-së në pastrimin e Listës zgjedhore, për të rikthyer besimin tek qytetarët.”- deklaroi kryetari i Drejtorisë për Zgjerim, Kristian Danielson.
Danielson thotë se shqetëson fakti që akoma ka raporte për frikësimin e votuesve dhe u sugjeroi partive politike që të zbulojnë dhe parandalojnë rastet e tilla.
Sipas tij, një tjetër element shqetësues është Prokuroria Speciale, pasi që i bëhen shumë pengesa në punë, dhe kërkoi që të gjithë që janë dakorduar për formimin e PS-së të përmbahen nga sulmet dhe të mbështesin atë plotësisht.
Danielson në emër të institucioneve të BE-së vuri në dukje se Marrëveshja e Përzhinës duhet të zbatohet jo vetëm para zgjedhjeve, por edhe të punohet në reformat urgjente që dalin nga Raporti i Pribesë.
SANIJE DURAKU
